Marco Asensio është shprehur i lumtur që po i hesht kritikët duke shfaqur formë të mirë për Real Madridin, pas rikthimit nga lëndimi. Sulmuesi spanjoll ka qenë cak i kritikave, ndaj të cilave është përgjigjur duke thënë se kritikët s’e kuptojnë se rikthimi nga lëndimi është proces shumë i gjatë.

Asensio shënoi një herë dhe asistoi një herë tjetër në fitoren e Real Madridit 2:0 kundër Celta Vigos të shtunën në La Liga. Përfaqësuesi i Spanjës mungoi pothuajse një vit gjatë sezonit 2019/20, pasi e pësoi një lëndim të rëndë në gju gjatë një ndeshjeje përgatitore.

Kundër Celta, ai ishte titullar për herë të tretë radhazi. “Tani po e shihni atë”, tha Asensio duke iu referuar formës nëpër të cilën po kalon. “Njerëzit nuk e dinë se është proces i gjatë. Jam në rrugë të mirë dhe po punoj zellshëm për ta sjell më të mirën nga vetja në fushë”, shtoi ai.