Nga 1 janari bizneset me xhiron nën 14 milionë lekë nuk do të paguajnë tatim fitimin deri në vitin 2029. Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti deklaroi sot se në fokus të qeverisjes socialiste është lehtësimi i biznesit të vogël për t’i dhënë përkrahjen e plotë të gjitha familjeve të vetëpunësuara në këtë aktivitet “Politika jonë fiskale mbi biznesin ka patur për qëllim, që në fillim të qeverisjes tonë lehtësimin e biznesit të vogël, për t’i dhënë përkrahjen e plotë të gjitha familjeve të vetëpunësuara në këtë aktivitet”, deklaroi Gjylameti.

Në vitin 2013-n, numri i të punësuarve pranë biznesit të vogël llogaritej 52 mijë, ndërsa në vitin 2019, numri i të punësuarve arriti në 135 mijë. Biznesi i vogël ka paguar taksa në buxhet gjatë periudhës 2006-2013 19 miliardë lekë, ndërsa gjatë periudhës 2014-2019 vetëm 5.3 miliardë lekë. Nga data 1 janar 2014, biznesit të vogël (tatimpaguesit me qarkullim nën 8 milionë lekë) iu përgjysmua tatimi mbi fitimin në 7,5% në krahasim me biznesin e madh (tatimpaguesit me qarkullim mbi 8 milionë lekë), për të cilët norma tatimore u bë 15%. Tatimpaguesit me qarkullim nga zero në 2 milionë lekë paguanin një tatim fiks prej 25 mijë lekësh në vit.

Nga data 1 janar 2016, u propozua të thellohet kjo ulje, me një normë tatimi prej vetëm 5%, për tatimpaguesit nga 5 milionë deri në 8 milionë lekë, ndërsa për tatimpaguesit me qarkullim nën 5 milionë lekë, tatimfitimi i thjeshtuar mbi biznesin e vogël u bë zero. Nga 1 janar 2019, u ndryshua mënyra e shkallëzimit për efekt të aplikimit të normës së tatimit mbi fitimin. Për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë norma e tatimit mbi fitimin propozohet 5% e fitimit para tatimit, ndërsa për bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë, norma e tatimit mbi fitimin të mbetet 15% e fitimit para tatimit.

Aktualisht norma tatimore për efekt të tatimit mbi fitimin bazohet në qarkullimin vjetor të tatimpaguesve, dhe konkretisht shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 % për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 000 000 lekë në vit dhe 15 % për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14 000 000 lekë në vit. Në vitin 2013 të gjitha bizneset në vend paguanin 10% taksë si tatimfitimi dhe zhvillonin aktivitet rreth 60 mijë tatimpagues me xhiro deri në 8 milionë lekë.