Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Shkodrës është i bindur për një fitore të sigurt të së majtës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Deputeti i Partisë Socialiste tregon arsyet se përse sipas tij, e majta do të ruajë rezultatet e zgjedhjeve të kaluara në veriun e Shqipërisë. “Është vlerësim bazuar në rezultatin e 2017-ës, në ecurinë katër vjeçare, në mënyrën si kemi reaguar ndaj 3-4 momenteve shumë të rëndësishme që ka kaluar qeveria.

Flas me shumë siguri për veriun, e njoh mirë për shkak se jam deputet i qarkut Dibër, kam vazhduar jetën politike në Kukës, kam qenë në qarkun e Kukësit në zgjedhjet vendore dhe jam që nga shtatori në Shkodër. Në këto qarqe ne nuk krijojmë asnjë disavantazh krahasuar me zgjedhjet e 2017. Në Kukës kemi qenë 8000 vota më tepër. Në Kukës, gjatë këtyre 4 viteve kemi bërë investime, aeroporti është projekt konkret. Valbona është një potencial shumë më i madh politik.

Me rritjet e bletarisë, gështenjave, të imtave ekonomia është më mirë në Valbonë. Në Kukës ka më shumë të ardhura nga nxjerrja e më shumë mineraleve”. Beqaj thotë se rezultatet janë konkrete dhe për ta vërtetuar mund të pyesim banorët sa merrnin para 8 vitesh dhe sa marrin sot.