Milani ka njoftuar edhe zyrtarisht se Mario Mandzukic i është bashkuar klubit, në një marrëveshje gjashtëmujore. Milani dhe Mandzukic kanë arritur marrëveshje për qëndrimin e sulmuesit kroat në San Siro deri në përfundim të këtij sezoni, me mundësi për zgjatjen e marrëveshjes për edhe një vit, njofton klubi i Serie A.

Përfaqësuesi i Kroacisë Mandzukic iu bashkua Milanit si lojtari i lirë. Ish-sulmuesi i Juventusit mbërriti në Milano në fundjavë dhe i kreu testet mjekësore të hënën. “AC Milan ka kënaqësinë të njoftojë transferimin e Mario Mandzukic. Klubi dhe sulmuesi janë pajtuar për një ujdi deri në fund të sezonit aktual me mundësi për zgjatjen e kontratës për edhe një vit”, thuhet në njoftimin e Milanit. Milani po ashtu konfirmoi se 34-vjeçari do ta veshë fanellën me numrin 9.