Ministrja e Shëndetësisë dhe Drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik deklaruan se po punohet intensivisht, jo vetëm në laboratorin e ISHP, por edhe me institutet ndërkombëtare për identifikimin e mutacioneve të COVID19.
3 Shkurt, Tiranë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nga Qendra Shëndetësore Nr.8, ka bërë me dije se testimi i shpejtë ka nisur në 4 pika të reja në Qendra Shëndetësore në Tiranë, duke e çuar në 10 numrin e tyre dhe tashmë në këto pika do të kryhet edhe testimi me metodën klasike të PCR. “Pasi vlerësuam ecurinë e gjashtë pikave të para të testimit në komunitet në Tiranë, përsa i përket kohës, por edhe situatës epidemiologjike mbi të gjitha, vendosëm që të shtojmë edhe katër pika të tjera. Në qendrën shëndetësore nr.8, në qendrën shëndetësore Kamëz, në qendrën shëndetësore nr.1 dhe në qendrën shëndetësore nr. 3. Pra janë hapur 10 pika testimi në komunitet në Tiranë, ndërkohë që në gjithë Shqipërinë janë 55 pika të testimit të shpejtë”, tha Manastirliu.
Duke bërë me dije së në këto pika testimi do të përfshihet edhe testimi nëpërmjet metodës klasike të PCR, Manastirliu tha se një punë e madhe është duke u bërë përsa i përket kapjes së mutacioneve apo varianteve të reja të virusit. “Ne kemi vendosur që në këto pika testimi të përfshijmë gjithashtu dhe testimin nëpërmjet PCR. Ky një element i shtuar përsa i përket punës dhe identifikimit të rasteve të dyshuara në territor. Por edhe punës që ne jemi duke bërë për kapjen e mutacioneve dhe varianteve të reja, që është një pikë shumë e rëndësishme dhe për të cilën janë trajnuar i gjithë ekipi ynë i epidemiologëve. Ne jemi në bashkëpunim edhe me institutet ndërkombëtare për identifikimin dhe kapjen në kohë të varianteve të reja të COVID19”, tha Manastirliu. Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino, tha se janë duke intensifikuar punën në laboratorin e ISHP si dhe jemi duke bashkëpunuar me institucione të tjera jashtë vendin për identifikimin e varianteve të reja të virusit.
“Ne jemi duke shfrytëzuar dhe metodika të tjera, të cilat na janë vënë në dispozicion nga kolegë të ndryshëm në lidhje me testimin nëpërmjet PCR, për identifikimin, jo saktësisht të variantit, por që identifikojmë nëse kemi të bëjmë me diçka të re. Ndërkohë po bëhen gati mostrat e tjera për t’u dërguar pranë Institutit të Virologjisë Charite në Berlin. Dhe natyrisht kjo është një punë që do të vazhdojë, krahas punës së laboratorit me PCR, do të vazhdojë edhe puna për dërgimin e vazhdueshëm të mostrave në lidhje me identifikimin e të gjitha varianteve të reja, jo vetëm variantit britanik, por të çdo lloj variant të ri, në mënyrë që këto mutacione të kapen në kohë”, tha Bino. Manastirliu ka bërë thirrje qytetarëve për të respektuar rregullat e vendosura, pasi situata është delikate dhe kjo luftë fitohet vetëm me bashkëpunim me qytetarët. “Ne jemi në një moment delikat. Pavarësisht se situata deri më tani është e kontrolluar, kjo nuk do të thotë që të ulim vigjilencën dhe të mos kemi atë kujdesin që kemi pasur deri tani. Kjo është një luftë që fitohet nga të gjithë së bashku dhe kërkon bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve. Nëse duam që virusi të mos përhapet me shpejtësi, duhet që të mbajmë maskën, duhet që të ruajmë distancën dhe të kemi higjienë maksimale. Të kombinuara këto me planin kombëtar të vaksinimit që po vazhdon me mjekët dhe infermierët në vijën e parë, do të mund të kemi në kontroll epideminë, por gjithmonë duhet bashkëpunimi i qytetarëve”, apeloi Manastirliu.
Dhjetë pika testimi janë hapur në Tiranë, ndërsa në të gjithë vendin janë 55 pika të testimit të shpejtë. Deri më tani janë kryer mbi 75,000 teste të shpejta në komunitet.