Projekti për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Spitallës ka tërhequr vëmendjen e më shumë se 20 kompanive të huaja. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Gjergj Simaku, gjatë një prononcimi për mediat, ku bëri të ditur detaje sa i takon procesit të ndjekur deri më tani, por edhe hapat që do të ndërmerren në ditët në vijim. Zëvendësministri Simaku sqaroi se pavarësisht kushteve të diktuara nga pandemia interesimi për këtë projekt nga kompanitë ndërkombëtare ka qenë i lartë. Nga kompanitë të cilat kanë shfaqur interes, 5 prej tyre kanë dorëzuar ofertat pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku një prej tyre do të shpallet edhe fituese e këtij ankandi.

“Ne tashmë jemi në fazën e kontrollit të dokumenteve, që kompanitë kanë dorëzuar. Kemi kohën e mjaftueshme për këtë proces. Ofertat do të hapen në datën 2 Mars”, u shpreh Simaku. Pas shpalljes së kompanisë fituese, zëvendësministri shpreh sigurinë se nisja e punimeve nuk do të kërkojë shumë kohë për shkak edhe të eksperiencës së krijuar me procedurën dhe lidhjen e kontratës për parkun fotovoltaik në Karavasta. “Puna në terren besoj se duhet të fillojë menjëherë pasi të stabilizohen të gjitha kontratat paraprake të lidhura të kompanisë fituese me operatorët, se ku do ta shesë, kujt do t’ja shesë etj. Por, duhet thënë që në këtë fazë ne kemi dhënë modelin e kontratës, modelin e projektit të zhvillimit ose kontratën paraprake të blerjes së energjisë”, shtoi Simaku.

Parku Fotovoltaik i Spitallës do të shtrihet në një sipërfaqe prej 120 hektarësh dhe do të ketë një kapacitet prodhues prej 100 Megavatësh, 70 MW prej të cilëve do të blihen nga OSHEE me çmimin që do të përcaktohet nga ankandi, ndërsa pjesa tjetër do të tregtohet në treg të lirë nga kompania fituese. Ky do të jetë parku i dytë fotovoltaik që do ndërtohet në vendin tonë, pas atij të Karavastasë.