Anëtarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve Silva Bino e cila ishte sot në Shkodër për të ndjekur nga afër procesin e vaksinimit te personeli shëndetësor dhe të moshuarit ka dhënë detaje në lidhje me planin e vaksinimit në këtë qytet.

Ajo tha se pas tyre radha do të jetë e personave mbi 90 vjeç dhe më pas atyre me sëmundje bashkëshoqëruese. Bino shtoi se vaksinimi pritet të zgjasë gjatë gjithë vitit.

“Është një proces shumë i rëndësishëm si për të gjithë vendin. Dhe ky është një proces që do të vazhdojë me shtëpitë e të moshuarve, personel tjetër shëndetësor. Personat mbi 90 vjeç dhe persona me sëmundje bashkëshoqëruese. Është një proces që do të zgjasë gjithë vitin”, tha Bino.

Bino u shpreh se gjatë ditëve të fundit ka pasur rritje të shifrave në të gjithë vendin por jo në Shkodër ndërsa përsëriti apelin që personat e vaksinuar të vazhdojnë të ruhen po njësoj pasi efekti nis pas 5-6 javësh.

“Kemi pasur rritje të shifrave por Shkodra ka pasur ulje që tregon që në Shkodër po bëhet një punë shumë e mirë në krahasim me disa bashki të tjera. Derisa të kalojnë 5-6 javë nga vaksinimi personat duhet të ruhen po njësoj.

Në Shkodër do sjellim vazhdimisht doza për të vaksinuar popullatën e planifikuar, Popullata e planifikuar deri në këto moment janë personeli shëndetësor, shtëpitë e moshuarve bashkë me punonjësit që punojnë tek ata dhe pastaj do të fillojmë me grupmoshën tjetër”, u shpreh Bino.