Programi “Dua të të bëj të lumtur” pas suksesit të korrur javën e kaluar, trajtoi mbrëmjen e sotme pikërisht një natë para ditës së Shën Valentinit, një histori dashurie që ka tejkaluar vështirësi nga më të ndryshmet. Ishte historia e dashurisë midis Marjusit dhe Hanës, të cilët në momentin e parë që ishin takuar kishin rënë në dashuri me shikim të parë.
Marjusi në studio rrëfeu se me Hanën ishte njohur rastësisht në një mbrëmje dhe menjëherë e kishte shtuar në rrjetet sociale. Pas asaj natë, Marjusi dhe Hëna kishin biseduar dhe ishin takuar disa herë, derisa të dy kishin marrë vendimin për të lidhur jetën e tyre përgjithmonë. Sipas Marjusit ata nuk kishin pasur asnjë problem më parë, por pasi u martuan dhe nisën një jetë së bashku kishin hasur vështirësi të mëdha ekonomike.
Çifti i sapo martuar kishin ndërruar disa shtëpi me qira për shkak të problemeve ekonomike. Marjusi tregoi se gjithë këtë kohë vetëm ai kishte punuar, ndërsa Hana nuk kishte pasur mundësi sepse duhej të kujdesej për fëmijët e vegjël. Por vetëm rroga e Marjusit nuk mjaftonte dhe ai ndihej në faj që nuk mundej dot t’i mundësonte familjes së tij jetesën që dëshironte.
Për këtë arsye Marjusi kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për të surprizuar gruan e tij, por edhe për t’i kërkuar falje për problemet e tyre dhe për t’i premtuar që do të kalojnë çdo vështirësi. “Hana të kam sjellë këtu për të të premtuar që ne bashkë do t’ia dalim. Sa më shumë të duhemi aq më të fortë do të jemi. Prandaj të lutem mos u mërzit për gjendjen tonë, sepse do t’i kalojmë të gjitha.”,- u shpreh Marjusi.
Nga ana tjetër Hana rrëfeu se sa e vështirë kishte qenë për ta që të rrisnin dy fëmijë kur asnjëri prej tyre nuk është në punë. Programi kishte menduar një surprizë për Hanën dhe kishte krijuar një atmosferë romantike, ku Marjusi i propozoi për herë të dytë duke i thënë: “A dëshiron që të vazhdojmë martesën?”.