Kylian Mbappe mund të ishte i Barcelonës, por në vitin 2017 katalanasit menduan të blejnë Ousmane Dembele nga Borussia Dortmund. Përfaqësuesi i kampionit të botës, Junior Minguella, ka rrëfyer gjithçka në “El Partidazo de COPE” në Radio MARCA dhe pranon bisedimet me katalanasit. “Është e vërtetë dhe mund ta konfirmoj. E dinim që Neymar kishte një marrëveshje me PSG-në. Drejtuesit e Barcelonës ose nuk e dinin, ose nuk e besonin atë që po ndodhte me brazilianin. Ende nuk ishte konfirmuar që po largohej Neymar dhe ata nuk donin të bënin një hap para se ai ta mbyllte me ta.
Në momentin që u konfirmua se Neymar do largohej, te Barcelona kishin dyshime për lojtarin që do e zëvendësonte. Ata menduan se Dembele është më i mirë se Mbappe, për mënyrën si luajnë katalanasit. Disa madje shkuan aq larg sa thanë se Mbappe ishte një fantazmë.
Ne kishim një marrëveshje të mbyllur, me 130 milion euro dhe 25 milion të tjera bonuse për transferimin. Mbappe do të fitonte 10 deri në 16 milion euro në sezon”, rrëfen Minguella, i cili më pas ka postuar edhe një bisedë me Javier Bordas, anëtar i Bordit të Barcelonës dhe për një periudhë edhe drejtor sportiv.