Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu kanë inspektuar në mesnatë punën që po kryhet për mirëmbajtjen e aksit rrugor Qafë Thanë-Pogradec. Aks i cili u përfshi nga një stuhi dëbore, duke bërë dhe të vështirë kalimin.

Ministrja Balluku tha se pavarësisht stuhisë së dëborës, aksi është i kalueshëm falë punës së bërë nga kompania mirëmbajtëse, ashtu si dhe të gjitha akset e tjera në zonën juglindore të vendit.

“Jemi në majën e Qafës së Thanës dhe këtu ndodhen të gjitha borëpastrueset e kompanisë së mirëmbajtjes dhe jam këtu së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Kemi ardhur për të inspektuar situatën. Akset janë të hapura nuk ka asnjë lloj problematike për sa i përket lëvizjes”,- thekson Balluku.

“Duhet të jenë të gjithë drejtuesit e automjeteve të kujdesshëm, duhet përdorimi i zinxhirëve ose gomave të dimrit. Skuadrat e policisë ndodhen kudo në rajonin lindor për të menaxhuar trafikun. Intensiteti i borës në Qafë Thanë ka qenë i madh dhe për këtë arsye po punohet përgjatë gjithë natës për të mirëmbajtur këtë segment rrugor, ku duhet me patjetër zinxhirë ose goma dimri”,- njofton Balluku.

“Aksi rrugor nga Tirana drejt Qafë Thanës dhe për më tutje drejt Pogradecit është i hapur, por duhen marrë zinxhirë apo goma dimri. Edhe akset rrugore në drejtim të Domosdovës e më tej janë të hapura. Falenderoj kompanitë e mirëmbajtjes për punën e bërë dhe deri të premten pritet kohë me temperatura të ulëta”,- tha Balluku

Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se “për të menaxhuar situatë e gjithë policia në gatishmëri. Po ashtu të gjitha mjetet e tonazhit të rëndë u ndaluan së qarkulluari për ti dhënë mundësi borëpastrueseve të pastrojnë nga bora rrugën, duke bërë të mundur mbajtjen hapur të rrugëve. Duhet me patjetër përdorimi zinxhirëve apo gomave të dimrit për të qarkulluar. Pavarësisht punës intensive të borëpastreueseve sërish ka zona me prezencë ngrice dhe për këtë duhet patur kujdes. Puna është bërë intensive dhe mjaft efektive”,- nënvizoi Veliu.

“Aktualisht po komunikojmë me palën maqedonase, e cila po pastron dhe ajo pjesën e saj, aksin nga pika kufitare tokësore e Qafë Thanës në drejtim të Strugës, për të bërë të mundur dhe vijimin e kalimit në kufirin që lidh vendin tonë me Maqedoninë e Veriut. Po ashtu është bërë thirrje për kalimin në pikën kufitare të Tushemishtit dhe mjetet e vogla kanë zbatuar porosinë dhe kanë aksesuar përmes pikës kufitare të Tushimishtit”,- tha Veliu.