Mario Balotelli është gati të kthehet në Monza për ndeshjet e radhës në Serie B. Vetë sulmuesi e tha këtë, teksa iu përgjigj disa pyetjeve në rrjetet sociale. Duke komunikuar me ndjekësit ë Instagram, SuperMario u përqendrua në aspekte të tjera të jetës së tij, si karakteri dhe ana sentimentale.

E fillon nga loja e futbollit, duke iu përgjigjur një tifozi që mezi pret ta shohë përsëri në fushë: “Kur do të kthehem? Nesër (sot) do të jem në dispozicion”. Por, si gjithmonë, kur bëhet fjalë për SuperMario, është e pamundur të mos merresh me temën e karakterit dhe jetës private. “Unë nuk jam arrogant, – saktësoi sulmuesi, duke iu përgjigjur një ndjekësi. – Nuk është aspak e vërtetë që jam i tillë. Përkundrazi, jam e kundërta e arrogantit. Njerëzit kanë krijuar një imazh krejtësisht të rremë, të padrejtë dhe të keq për mua”.

Më në fund, një mendim mbi lumturinë. “A jam i lumtur? Besoj se po. Gjithë sa më duhet është dashuria… ”, – përfundoi Balotelli, duke përsëritur se është “single”.