Nga Njësia 5, në një takim me banorët e zonës, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ironizoi deklaratat e opozitës për kreditë e buta dhe çekun e bebes. Ai tha se kur Luli dhe Mona e kishin në dorë qeverinë dhe Bashkinë, nuk bënë asgjë nga këto. “Çeku i bebes sot shkon deri në 1 milionë e 200 mijë lekë. Luli dhe Mona thonë do japim çekun e bebes! Po ju e kishit qeverinë, e kishit Bashkinë e Tiranës, dhe ende ka prindër që kërkojnë 50 mijë lekëshin që s’ua dha Luli.

I dëgjova tek flisnin edhe për kreditë e buta. Ne kemi dhënë nga 1 mijë në vit në 6 vjet. Ndërsa, kur Luli dhe Mona ishin në qeveri, kaluan 1 mijë në 4 vite dhe në lista ishin të gjithë deputetë, zv/ministra dhe gardistët e 21 janarit. Pra, për Lulin dhe Monën, shtresat në nevojë janë zv/ministrat, deputetët dhe ata që janë gati të vrasin për partinë. Kurse për ne, shtresat në nevojë janë çiftet e reja, të cilët e kanë provuar se si me kredi 0% interes janë bërë me shtëpi të reja, në një qytet ku vlera e pronës po rritet çdo ditë”, theksoi Veliaj.