Nga “tepricë” luksi, gati për t’u kthyer në merkato, te njeriu vendimtar në derbin e “Coppa Italia” kundër Milanit. Shëmbëlltyra e Christian Eriksen nuk mund të ishte më romantike se kjo. Dhe për atë që feston ditëlindjen në Shën Valentin, kjo duhet të thotë diçka. “Mënyra më e mirë për të festuar ditëlindjen është me një fitore. I falënderoj të gjithë për urimet e mira”, – shkroi danezi në Instagram, pas fitores kundër Lazio, që i dha atij dhe të gjithë zikaltërve vendin e parë në renditje. Antonio Conte, gjithashtu pati fjalë të këndshme për të, duke folur për rritjen e dukshme të lojtarit. Nuk mund të kishte një dhuratë më të mire për ditën e të dashuruarve.

Përtej fjalëve, numrat e Eriksen flasin vetë: ish-ylli i Tottenham ka luajtur 760 minuta këtë sezon, duke marrë parasysh të gjitha garat. Nëse 364 minuta janë grumbulluar në tre muajt e parë të kampionatit, 45 ditët e fundit e panë danezin në fushë për 396 minuta. Më qartë se kaq nuk ka. Ai e fitoi besimin e Conte duke bërë një seri shfaqjesh bindëse dhe duke shënuar golin vendimtar në derbin e “Coppa Italia” kundër Milanit. Shokët e ekipit janë me të, mjafton të shikoni të gjitha përshëndetjet “sociale” të marra me rastin e ditëlindjes së tij, nga Hakimi te Vidal. Eriksen tani është në të gjitha aspektet një pikë referimi për Interin.