Pep Guardiola thotë se Manchester City nuk ka një yll si Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo, i cili mund ta fitojë ndeshjen i vetëm, por është më shumë se i lumtur me skuadrën e tij. “Qytetarët” morën një tjetër fitore bindëse të shtunën, kundër ish-ndjekësit të titullit, Tottenham, për të çimentuar më tej kthesën mbresëlënëse në formë dhe për të afirmuar statusin si kandidatët kryesorë të titullit të Premier League.

Guardiola ka folur për vendosmërinë mbresëlënëse të skuadrës së tij për t’u rikthyer sërish në majë: “Ne nuk kemi lojtarë që mund ta fitojnë ndeshjen të vetëm; nuk kemi një Messi, një Cristiano, Mbappe ose Neymar. Ne duhet të fitojmë si ekip. Do të jem i sinqertë, do të doja të kisha një lojtar, i cili shënon çdo ndeshje të vetme katër gola dhe udhëheq si këto lojtarë. Me të vërtetë do ta doja atë.

Por, nuk do të ndryshoja asnjë lojtar që kam tani, në këtë sezon. Të gjithë do t’i mbaja. Kjo është arsyeja pse shumë herë e lavdërova kapitenin tonë, Fernandinho, për mënyrën si ai ndihmon brenda dhe jashtë fushës, si e bashkon ekipin në momente të këqija.

Skuadrat e mëdha, lojtarët e mëdhenj e tregojnë veten në momentet e këqija. Në momentet e mira të gjithë e kanë të lehtë për të luajtur. Edhe ne kemi pasur momente të këqija këtë sezon”.