Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi, sot në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave e Vajzave në Shkencë, mori pjesë në një aktivitet solemn “online” kushtuar akademikes së parë shqiptare, Andromaqi Gjergji. Aktiviteti u organizua nga Akademia e Shkencave, në bashkëpunim me Rrjetin Shqiptar të Grave në Shkencë.
Në lidhje me këtë aktivitet, Ministrja Kushi nënvizon se e pranoi me kënaqësi pjesëmarrjen duke cilësuar gjithashtu edhe kontributin e vyer që Andromaqi Gjergji ka sjellë në shoqëri, e cila ka lënë gjurmë të thella në fushën e kërkimit shkencor për vlerat kulturore shqiptare, veshjet tradicionale shqiptare, historinë, artin dhe muzeologjinë.
Në fund, ajo nuk rri pa nënvizuar edhe rëndësinë e modelit frymëzues të Andromaqi Gjergjit:
“Pikërisht sot, në këtë ditë të shënuar nga OKB, modeli i saj frymëzues duhet të na rikujtojë të gjithëve se sa e rëndësishme është të vlerësojmë arritjet në lidhje me barazinë gjinore dhe me dhënien e shanseve të barabarta, që normalisht nuk duhet të kufizohet vetëm me shkencën apo teknologjinë, por edhe me të gjitha rolet që gratë apo vajzat shqiptare kanë në shoqëri” – përfundon Ministrja Kushi.