-Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj dhe Kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi, i kanë bërë sot nga Shkodra thirrje qytetarëve për rinovimin e dokumenteve të identitetit. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, thekson se zyrat e gjendjes civile do jenë të hapura edhe të shtunën. “Dua të bëj me dije se do jemi të hapur edhe ditëve të shtuna, edhe me orare të zgjatura, do të jemi gjithashtu edhe për të respektuar atë çka ju thatë pak më parë, edhe në kushtet e pandemisë që jemi, edhe distancën fizike dhe, në qoftë se do të duhet, do të hapim dhe zyra të reja aplikimi, gjithmonë, në qoftë se do të ketë fluks”.
“Siç e shikoni, fluksi është shumë i ulët, ndërkohë që kapacitetet pritëse, të ofruara nga bashkia Shkodër, edhe prodhuese nga kompania ‘Aleat’, janë disa herë më të mëdha. Edhe njëherë, ju lutem, vetëm pak sekonda, sepse karta ID nuk është thjesht dokumenti me anë të të cilit do të shprehni bindjen tuaj në 25 prill, por është edhe çelësi që hap çdo derë për të siguruar shërbime në institucione publike dhe private”,- deklaron ai. “Janë rreth 800 mijë shtetas, të cilët posedojnë një dokument të skaduar për të cilët do të bëjmë gjithçka që ata të pajisen me dokumentet e reja, dokumentin e vlefshëm biometrik”,- thekson Doracaj.
Voltana Ademi, Kryetare e Bashkisë Shkodër u shpreh se rinovimi i mjeteve të identifikimi është proces shumë i rëndësishëm. “Jemi këtu bashkë me Doracaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme, për të mbështetur një proces për rinovimin e dokumenteve të shtetasve, atyre të cilëve u ka skaduar karta dhe domosdoshmërisht do të duhet të pajisen me një kartë të tillë. Kjo si një shërbim i domosdoshëm, por njëkohësisht edhe në kuadër të një procesi që do të duhet për t’u siguruar të drejtën për të votuar të të gjithë shtetasve. Unë aplikova sot, një ndër arsyet është pikërisht procesi i votimeve, kjo është edhe domosdoshmëria për të cilën në fakt ne bëjmë këtë mesazh sensibilizimi. Unë aplikova sot, më ka skaduar karta e identitetit, bëra të mundur që të aplikoj. Paraditeve zakonisht ka njerëz, por që akoma jemi në kushtet e funksionimit normal të zyrave të shërbimeve, që do të thotë përballojmë ngarkesën dhe shërbejmë në mënyrë normale”,- u shpreh ajo.
“Për çdo shërbim tjetër që nevojitet qoftë edhe për shkak të ngarkesës që mund të shtohet edhe sot, ne kemi hapur të gjitha zyrat e gjendjes civile, jo vetëm në qytet, por kudo ku shërbehet, për të aplikuar qoftë për dokumente identifikimi, por njëkohësisht edhe për karta të identifikimit”,- tha Ademi. “Mesazhi i sotëm bashkë me Doracaj është pikërisht ky, për të siguruar që normalisht që në ditën e votimeve të mos kemi asnjë shqetësim që lidhet me pamundësinë për të votuar për shkak të kartës së identitetit të drejtohemi menjëherë pranë zyrave të gjendjes civile, aty ku shërbehet për pajisjen me kartë identiteti. Për të bërë të mundur që të pajisemi në kohë, pa krijuar vështirësi dhe kjo do të na sigurojë një proces të domosdoshëm që ne duam ta sigurojmë për të gjithë shtetasit. Sidomos për të ata që janë në Shqipëri, qarkullojnë. Ekziston mundësia që të aplikojnë dhe për këtë zyrat tona janë të hapura gjatë të gjithë ditës edhe ditën e shtunë”,- përfundoi Ademi.