Është ndarë sot nga jeta në moshën 57-vjeçare si pasojë e Covid-19 Kryetari i Këshillit të Bashkisë Kavajë Ramazan Cara. Ai ka rezultuar i infektuar me virusin SARS COV2 që prej datës 1 shkurt ndërsa së fundi ai ishte shtruar për mjekim të specializuar në spital.
Fillimisht ai u trajtua në banesën e tij në Kavajë por pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore u dërgua në spital. Kreu i Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali ka përcjellë një mesazh të ndjerë për bashkëpunëtorin e tij.
“Shumë u lutëm për ty o mik i mirë, por kjo flamë të mundi”. “Tepër e hidhur është ikja jote sot, për secilin nga ne që pati fatin të të njihte. Të të njihte zemrën e butë, urtësinë e mendimit, besnikërinë e një miku të rrallë. Nuk ka ngushëllim kjo humbje për familjen tënde; Zoti i dhëntë durim dhe forcë! Të qoftë dheu i lehtë Ramazan Cara“, shkruan Redjan Krali.