Franca e ka refuzuar izolimin e tretë për shkak se ai nuk e justifikon koston ekonomike, sociale dhe njerëzore, ka thënë të premten kryeministri francez, Jean Castex.
Castex në një konferencë për mediat është shprehur se stabilizimi i shifrës së rasteve të reja dhe fushata e vaksinimit nënkuptojnë që qeveria mund ta shmangë vendosjen e izolimit të ri.
Sipas tij, vendimi për ta izoluar vendin për herë të tretë në pandemi është peshuar në krahasim me faktorët tjerë dhe ligjvënësit francezë kanë vlerësuar dhe kanë vendosur se ai është i pajustifikueshëm.
“Përparësitë e mundshme të një izolimi të tretë mbarëkombëtar në luftën kundër përhapjes së koronavirusit është dashur të matet në termat ekonomikë, socialë dhe njerëzorë e nganjëherë edhe shëndetësorë. Situata sot nuk e justifikon një masë të tillë” ka thënë kryeministri francez.
Ndër të tjera ai ka paralajmëruar se nëse gjendja përkeqësohet, qeveria nuk do të ngurrojë që ta bëjë atë që është e nevojshme.