Gjermania ka miratuar 3 teste të COVID-19 për përdorim shtëpiak si pjesë e strategjisë së Ministrit të Shëndetësisë Jens Spahn për të ndihmuar ekonominë më të madhe të Europës të dalë nga një bllokim që është në fuqi që nga dhjetori. Shkalla e infeksionit në Gjermani ka qenë e qëndrueshme në javët e para të vitit, por është rritur në ditët e fundit, duke e bërë më të vështirë për udhëheqësit të lehtësojnë kufizimet.

Kancelarja Angela Merkel u ka thënë ligjvënësve në partinë e saj konservatore se testet e shpejta dhe rritja e kapacitetit të testeve mund ndihmojë në kthimin në normalitet. Teste të tilla do t’i kushtojnë deri në 810 milion euro qeverisë në muaj për 30 milion deri në 45 milion teste, sipas dokumenteve të marra nga Reuters. Vende të tjera gjithashtu kanë miratuar përdorimin e testeve në shtëpi për të ndihmuar në kufizimin e përhapjes së virusit. Në Austri, teste të tilla tashmë po përdoren në shkolla, dhe ato do të jenë në dispozicion për të gjithë edhe falas në farmaci nga java tjetër.

Në Angli, vullnetarët dhe policia kanë shpërndarë mjete testimi COVID-19 në përpjekje për të ndaluar përhapjen e një varianti infektiv që ka origjinën nga Afrika e Jugut. Në Gjermani, numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit u rrit me 8,007 duke çuar në 2,402,818 numrin total, një rritje prej 451 krahasuar me një javë më parë. Shkalla e infeksionit u rrit në 59.3 raste për 100,000 njerëz gjatë shtatë ditëve të fundit, nga 57 një javë më parë.