Nisur nga situata e rënduar në katër spitalet Covid të kryeqytetit, ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të hapë edhe spitalet rajonale për trajtimin e të infektuarve. Një ndër ta është Spitali i Durrësit, ku ka nisur trajtimi për të prekurit me koronavirus. “Eshtë një moment delikat, pasi shihet që kemi një incidencë në rritje të infektimeve dhe sigurisht dhe fakti që 90% e kapaciteteve më 4 spitalet COVID në Tiranë tashmë janë ezauruar, kjo na bërë që të kalojmë në skenarin e parë për hapjen e spitaleve rajonale, ku fillojmë sot me hapjen e Spitalit Rajonal të Durrësit, me pavion të dedikuar dhe gjithashtu në Spitalin Rajonal të Shkodrës e më pas do të vijojmë me Spitalin Rajonal të Korçës, Vlorës, Elbasanit, në skenarin e parë”, deklaroi ministrja Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit të këtij spitali.
Duke folur për kapacitetet dhe investimet në spitalet rajonale, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh: “Me këtë skenar, vendosim në dispozicion të qytetarëve nga 430 deri në 630 shtretër, që i shtohen kapaciteteve të spitaleve të Tiranës, ndërsa eksperienca e fituar nga stafet mjekësore si dhe me investimet që kemi bërë në spitalet rajonale, jemi të angazhuar t’i përgjigjemi nevojave dhe puna nuk po ndalet në asnjë moment, që t’i sigurojmë qytetarëve kushtet optimale për trajtimin e dukur mjekësor”, tha Manastirliu.
Manastirliu foli edhe për vaksinimin kundër koronavirusit, i cili do të shtrihet edhe në dy pika të reja. “Vijnë sot edhe dozat e tjera të vaksinës së Pfizer, doza të cilat do të shpërndahen menjëherë dhe pa humbur kohë për të vijuar planin e vaksinimit. Ne do të vijojmë nesër me qendrat e vaksinimit në Shkodër, më pas me Vlorën, ndërkohë që stafi i Durrësit, Elbasanit do të vaksinohen në Tiranë. Janë bërë gati të gjitha listat sipas vendosjes për të prioritizuar ata të cilët janë në linjën e parë”, theksoi Manastirliu.
Pas spitalit rajonal të Durrësit dhe Shkodrës, sipas strategjisë së vjeshtë-dimrit, do të vijojet me hapjen e spitaleve të Korçës, Vlorës, Elbasanit, me një kapacitet nga 430-630 shtretër dhe më pas, do të vijohet sipas skenarëve të spitaleve rajonale. Janë 1600 shtretër të dedikuar COVID, në skenarët e parashikuar nga Ministria e Shëndetësisë.