Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nënshkroi kontratën me kompaninë Smartmatic International Holding B.V për identifikimin elektronik, njoftoi sot zyra për shtyp e KQZ-së. “Pas nënshkrimit të kontratës fillon procesi përgatitor për implementimin e sistemit për identifikimin elektronik të zgjedhësve”, bën të ditur më tej KQZ.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në datën 14 janar 2021, përfundoi fazën e vlerësimit të ofertës dhe zgjidhjes teknike, të paraqitur nga operatori ekonomik “Smartmatic International Holding B.V” pjesëmarrës në procedurën prokuruese me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikimin e tyre pas zgjedhor.
Kompania “Smartmatic International Holding B. V”, brenda afateve ligjore paraqiti dokumentacionin, zgjidhjen teknike dhe ofertën ekonomike me vlerë: 19.975.774,23 USD pa T.V.SH dhe e konvertuar në lekë referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë për datën 23.12.2020 me vlerë: 2,016,354,627.56 lekë pa TVSH. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave pas shqyrtimit të dokumentacionit, ofertës ekonomike dhe zgjidhjes teknike vendosi kualifikimin e ofertës së paraqitur nga kompania “Smartmatic International Holding B. V”.