Ministri i shtetit për Diasporën Pandeli Majko replikoi sot në Kuvend me deputetin Kristaq Papa lidhur me politikat për emigrantët. Nuk munguan as batutat, ku Majko i tha Papës se “ke hequr kaçurrelat prej kohësh”, ndërsa ky i fundit ia ktheu se nuk merret personalisht me ministrin.
“Nëse ka një arsye pse njerëzit largohen janë budallallëqet që prodhohen nga politika, siç ndodhi edhe në këtë interpelancë”, tha Majko pas replikave me deputetin.
Pandeli Majko: Nuk kam ardhur këtu të dëgjoj dëngla nga njerëz që as ia kanë idenë se çfarë bëhet në diasporë. Po marr çështjen e librave. Sa kohë ke zotëri që nuk dëgjon një mësues jashtë vendit të kërkoj libra nga shteti i vet? Vjen këtu edhe ulëret në Parlament duke lëshuar dëngla që nuk kanë të bëjnë me realitetit.
Kristaq Papa: Unë nuk merrem fare se kë takon ministri kur shkon jashtë, por dua të rrahim ide dhe mendime dhe perspektive për ti mbajtur të lidhur me atdheun. Shqiptarët jashtë Shqipërisë janë po kaq të indinjuar, sa shqiptarët në atdhe. Duhet të shikojmë betejën sesi të mbajmë jo 2.8 milionë njerëz, por 4-5 milionë, sepse Shqipëria është një vend i bekuar nga Zoti.
Pandeli Majko: Unë kam qenë i gatshëm të marrë pjesë në çdo mbledhje Komisioni ku jam ftuar për çdo lloj ligji e informacioni. Cilido deputet jo vetëm parafolësi ka të drejtë të kërkojë informacion. Interpelanca sot ishte e mbushur me dezinformacion. Duke filluar nga një fakt, çkeni bërë me tenderat? Ministrat e shtetit nuk kanë buxhet. Vjen këtu e fut të holla dhe të trasha. Njerëzit për arsyet e tyre ekonomike. Nëse ka një arsye pse njerëzit largohen janë budallallëqet që prodhohen nga politika, siç ndodhi edhe në këtë interpelancë.