Po afron ndeshja e Realit kundër Atalantës dhe në Spanjë kanë filluar të kujtojnë duelet e rëndësishme italo-spanjolle. Legjenda madrilene, Fernando Hierro, ka folur në gazetën “AS” duke thënë se këto duele kanë qenë vërtet spektakolare.
“Në epokën time Italia kishte skuadra si Juventusi, Interi dhe Milani. Në vitet ‘90 ata dominonin Europën dhe ishin vitet e arta sportive për ta. Ta ndërlikonin jetën me një mënyrë apo një tjetër. Unë i shijoja shumë ndeshjet me skuadrat italiane. Nuk do ta mohoj diçka të tillë, sepse motivohesha shumë” – tha Hierro.
“Flitej shumë për italianet, për mentalitetin fitues, për përgatitjen fizike dhe taktikën. Ishin hapa përpara në këtë aspekt. Me Juventusin kemi pasur ndeshje të shkëlqyera dhe të forta, por gjithashtu edhe me Milanin. Ishin kampionë të vërtetë. Reali duhet të luajë vetëm për fitore me Atalantën, edhe pse është ndeshje e vështirë”, ka thënë Hierro.