Deputetët aktualë të Partisë Socialiste janë aktualisht të shpërndarë në të gjitha njësitë administrative të qarkut të Tiranës duke punuar në terren për votat e 25 prillit. Në disa njësi administrative, selia rozë ka caktuar dy dhe tre emra, të cilët po punojnë në terren me strukturat socialiste, grupet e patronazhit dhe zgjedhësit për t’i bindur ata për alternativën e tyre. Vendosja e dy apo më shumë emrave, është bërë për një mbulim sa më të afërt dhe të imët të territorit. Njësitë administrative me më shumë se 30 qendra votimi, është menduar të kenë më shumë se një kandidat.

Në Njësinë Administrative Nr. 1, po punojnë deputetja aktuale e kësaj zone, Elona Gjebrea, dhe Alqi Bllako, kreu i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve. Bllako ishte sekretar i Përgjithshëm i Presidentit Meta, një nga emërimet e para që kreu i shtetit nënshkroi kur mori detyrën. Në Njësisë Administrative Nr. 2, është në terren deputetja aktuale Vasilika Hysi dhe sekretari Organizativ i PS-së, deputeti Arben Pëllumbi.

Në Njësinë Nr. 3 është deputetja Klotilda Bushka. Në Njësinë Nr. 4, është ministri Arben Ahmetaj, i cili në 2017 mbulonte bashkitë KavajëRrogozhinë dhe deputeti Sadri Abazi, i cili mbulon një pjesë të qendrave të votimit në këtë njësi dhe në Njësinë Nr.9. Njësia Nr. 5, e cila është një zonë shumë e madhe në popullsi në Tiranë, ka përfshirë në këtë fushatë, ministrin për Diasporën, deputetin e zonës, Pandeli Majko, kreun e FRESSH-it, deputetin Eljo Hysko, dhe deputeten Mimi Kodheli, e cila mbulon zonën e Kodrës së Diellit.

Në Njësinë Nr.6 po punon ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ndërsa një pjesë e kësaj zone, zona e Astirit dhe Njësia Administrative Kashar po mbulohet nga deputetja Blerina Gjylameti.

Në Njësinë Nr.7, po punon ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, dhe deputeti Besnik Baraj. Në Njësinë Nr.8 po punon në terren deputeti i kësaj zone, Ervin Bushati, ndërsa në njësinë Nr. 9, fushatën po e mbulon ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe deputeti Sadri Abazi. Në Njësinë Nr. 10, po punon deputeti Fatmir Xhafaj, ndërsa kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ulsi Manja, po mbulon Njësinë Administrative Nr.11.

Në Bashkinë e Kavajës dhe Rrogozhinës, po punon zëvendësministri i Jashtëm, Etjen Xhafaj, ndërsa në Bashkinë Vorë, deputeti Fidel Ylli.

Bashkia Kamzë po mbulohet nga deputetja Elisa Spiropali, ndërsa deputeti Xhemal Qefalia vijon të mbulojë një zonë të gjerë si njësitë Dajt, Kërrabë, Petrelë dhe Baldushk. Prefekti i Tiranës, ishkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranë, Toni Gogu, po mbulon njësitë administrative Pezë, Ndroq dhe Vaqarr. Ishprefekti i Tiranës, deputeti Sadi Vorpsi po mbulon Njësinë Farkë.

Deputeti i opozitës, i ardhur nga lista e LSI-së, Edmond Rrushi, po mbulon njësitë administrative Zall Bastar, Zall Herr, Bërxull dhe një pjesë të qendrave të votimit në Laprakë. Përballja Partia Demokratike ka bërë një ndarje sipas degëve të saj në qarkun e Tiranës.

Elisa Spiropali në Kamzë dhe Fidel Ylli në Vorë do të kenë përballë Flamur Nokën e PD-së, si drejtues politik në këto bashki.

Grida Duma do ta ketë përballjen me Etjen Xhafajn në Kavajë dhe Rrogozhinë. Albana Vokshi, drejtuesja politike në njësitë 9 dhe 11, do të ketë përballë saj deputetët Ogerta Manastirliu, Sadri Abazi dhe Ulsi Manjën.

Ish-zëvendësministri i Financave të Partisë Demokratike, Alfred Rrushaj, ka përballë si drejtues politik Arben Ahmetajn në Njësinë Nr.4 dhe Ervin Bushatin në Njësinë Nr.8. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Partia Socialiste ka marrë në qarkun e Tiranës 200.517, me një përqindje 48,24%, të përkthyera këto në 18 mandate.

Partia Demokratike, mori në zgjedhjet e 2017 128.065 vota ose 30,81%, të cilat dhanë 11 mandate deputetësh. Lëvizja Socialiste për Integrim mori 55.894 ose 13,45%, nga të cilat mori 5 mandate. Në zgjedhjet e 25 prillit, partitë do të ndajnë mes tyre 36 mandate në qarkun e Tiranës, sepse për shkak të lëvizjeve demografike dhe rritjes së numrit të popullatës, një mandat i qarkut të Gjirokastrës dhe një mandat i qarkut të Dibrës, i kanë kaluar qarkut të Tiranës.