Nga Skënder Minxhozi/
Timoni dhe tepsia e vitit 2017 është tashmë një fabul elektorale e cila ka hyrë në analet e fushatave shqiptare. Edi Rama arriti në atë kohë një marrëveshje me Lulzim Bashën, e cila çoi në mbylljen e Çadrës demokrate në bulevard dhe që futi PD de facto në qeverinë e majtë në prar të zgjedhjeve. Ky kompromis spostoi edhe aciditetin mes dy partive të mëdha, duke i dhënë zj arr një luf te për vota mes socialistëve dhe LSI të Ilir Metës, i sapozgjedhur president me votat e Ramës. Pakkush mund të parashikonte asokohe se kjo përballje e vitit 2017 mes PS e LSI do të ringjallej edhe një herë katër vjet më vonë, në kushte dhe terma të reja. Sepse është me vend të thuhet sot, kur bëhemi gati të shkojmë në kutitë e votimit, se kjo fushatë rezervon një tjetër betejë të madhe votash mes socialistëve dhe lsi-stëve. Përtej garës së natyrshme dhe të pritshme mes PS e PD, e cila është e kuptueshme dhe e natyrshme sa vetë zgjedhjet. Këto janë zgjedhjet e LSI. Në të gjitha kuptimet e termit. Të gjitha sondazhet që kanë nisur të shfaqen në studiot kryesore televizive, po vëzhgojnë me shumë kujdes kurbën e preferencave të zgjedhësve për partinë e Metës, duke u marrë gjatë me arsyet e rënies graduale që po vihet re në shifra.
Për këtë arsye, edhe socialistët i janë futur një operacioni kombëtar të rekrutimit, devijimit dhe mpakjes së votuesve dhe strukturave të LSI në të gjithë territorin. Qëllimi taktik është i qartë dhe i thjeshtë për t’u kuptuar me aritmetikën elektorale. Në PS mendojnë se duke god itur strukturat e LSI, duke i marrë sa më shumë drejtues lokalë me peshë apo edhe ish-deputetë, ish-ministra e figura që kanë influencë tek votuesi i kësaj partie, do të arrijnë një qëllim parësor elektoral: uljen e votave të LSI në rang kombëtar, që do të prodhonte si efekt të drejtpërdrejtë lënien vetëm të PD në garën për 71 mandatet parlamentare. Është një fakt i ditur politik, se sot PD e ka të pamundur të marrë e vetme në 25 prill, një votë më tepër se PS, në kandarin kombëtar të zgjedhjeve. Të gjitha projeksionet e japin PS partinë fituese në zgjedhje. Pra me numrin më të madh të votave.
Elementi i panjohur i këtij ekuacioni elektoral është nëse partitë aleate të Bashës, pra LSI e të tjerët, do ta ndihmojnë atë të dalë mbi sipërfaqen e ujit. Pra të marrë shumicën në parlament. Ofensiva e socialistëve mbi LSI kërkon të prodhojë pikërisht këtë efekt. Pra, ta detyrojë PD të luftojë e vetme për pushtetin në 25 prill, pa votat e aleatit kryesor. Nëse LSI zbret ndjeshëm nga 225 mijë votat e vitit 2017, për Bashën pushteti bëhet një iluzion shkretëtire. Kurse për Metën kjo do të thotë praktikisht “game over”! Në anën tjetër, edhe vetë PD ka ambicjet e saj të afishuara për të rimarrë mbrapsht rreth 200 mijë vota që ka humbur, duke filluar nga zgjedhjet e 2013 e më pas. Dhe meqenëse të gjitha analizat numerike të dy zgjedhjeve të fundit tregojnë se një pjesë e këtyre votave janë devijuar tek LSI, Lulzim Basha nuk duket aspak i gatshëm të lejojë që kjo hemoragji drejt partisë së Metës të vijojë si e tillë.
Demokratët ndodhen në një marrëdhënie paradoksale me LSI në këto zgjedhje. Kanë nevojë jetike që kjo parti të ruajë kuotat e 19 mandateve të vitit 2017, por njëherësh duan edhe votat që kjo forcë politike u ka marrë përmes sugjestionimit të votuesit blu, në tetë vitet e fundit. Këto janë dy arsye madhore që e kanë bërë LSI një komponent politik shumë debatuar në këto zgjedhje. Me Ilir Metën në Presidencë, LSI po lufton të mbajë territoret e zgjedhjeve të fundit, duke e ditur se ndodhet nën trysninë e jashtëzakonshme të dy partive të mëdha, të cilat reklamojnë kuotat e saj elektorale, secila për arsyet dhe interesat respektive. Pasi ka qenë parti vendimtare me votat që ka marrë në 15 vjetët e fundit, duket se kësaj rradhe LSI do të jetë sërish e tillë. Por jo me votat që do të marrë, por ndoshta me votat që do të lerë rrugës. 25 prilli është një ditë vendimtare për Metën. Prandaj edhe ai ka zbritur hapur në fushatë, duke e lënë qarkun e Presidentit pas derës së zyrës.