“Përpara 7 vitesh Shqipëria eksportonte 18 milionë euro produkte peshkimi, sot peshkon 105 milionë euro”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedim me qytetarët në Vlorë, ndërsa theksoi se është gati projekti i porti të peshkimit, bashkë me portin aktual dhe portin e turizmit.
Në lidhje me triportin dhe markatën e peshkimit Rama tha se, “është njësoi në çdo fushë e njëjta. Po të kthesh kokën mbrapa para 7 vitesh dhe sot nuk ka krahasim. Dhe unë po jap vetëm një shifër, përpara 7 vitesh Shqipëria eksportonte 18 milionë euro produkte peshkimi, sot peshkon 105 milionë euro. Potenciali është për të shkuar 200-300 milionë, jemi në mes të rrugës. Kemi bërë një pjesë të mirë të rrugës por kemi pjesën tjetër të rrugës për të bërë, për ta çuar peshkimin aty ku duhet të jetë”.
“Po të marrësh sot peshkatarët e Vlorës dhe po të shikosh situatën e tyre është një betejë në mes, që nuk mund të lihet. Pse? Vërtetë janë këto që u thanë, dhe këto kanë sjellë këtë gjendje të eksporteve dhe këtë status të ri të peshkatarëve por po të shkosh te porti i peshkimit sot je në mesjetë, nuk je në Europë. Është gjendje mesjetare e infrastrukturës së peshkimit. Markata nuk është çështja të depozitosh apo të shesësh, por është gjithë sistemi i bursës aty të peshkut e me radhë. Kjo pjesë duhet ndërtuar”, tha Rama.
Rama theksoi se do nisim ndërtimin e portit ekzistues në mënyrë që të vazhdojë procesi për portin turistik, dhe njëkohësisht të fillojë edhe ndërtimi i portit të mallrave dhe të peshkimit.
“Më bëjnë shumë mirë që me portin e peshkimit jemi në gjendje të themi jo do ta bëjmë se e kemi një plan, projekti është gati. Kemi kaluar vendimin e fundit për të materializuar nga pikëpamja proceduriale ndërtimin e portit ekzistues në mënyrë që të vazhdojë procesi për portin turistik. Njëkohësisht të fillojë edhe ndërtimi i portit të mallrave dhe të peshkimit, që do jen të ndara dhe në një pellg aty. Dhe po të shikosh projektin që do ndërtohet dhe është çështje muajsh dhe kantier është një botë tjetër. Aty do kemi një port peshkimi, një markato dhe një situatë komplet tjetër, madje dhe me restorante peshku, me tregun aty që mund të vijnë njerëzit, siç i ka gjithë bota dhe ajo është siç shkon në një panair, është spektakël”, u shpreh Rama.