Ronald Koeman e ka përpiluar një listë me lojtarët që dëshiron t’i transferojë në Camp Nou në afatin kalimtar të verës, të cilën do ta shpalosë para presidentit të ri të Barcelonës, pas zgjedhjeve të 7 marsit. Trajneri holandez e ka bërë planin për atë sesi duhet të duket skuadra e tij në të ardhmen dhe dëshiron të jetë vendimtar në blerjen dhe largimin e lojtarëve, sipas MARCA-s. Në verën e kaluar dëshirat e Koemanit ishin të qarta. Ai e donte dyshen Eric Garcia dhe Memphis Depay në skuadër dhe bëri përpjekje për ta afruar anësorin e Lyonit edhe në afatin e janarit, po ashtu. Atij nuk iu plotësua kjo dëshirë dhe iu kërkua të priste deri në përfundim të zgjedhjeve presidenciale.

Ato do të mbahen pas dy javëve dhe thuhet se Koeman është i gatshëm dhe në pritje të një takimi me njërin prej kandidatëve që do t’i fitojë zgjedhjet qoftë ai Joan Laporta, Victor Font apo Toni Freixa, për të biseduar për futbollistët që synon t’i afrojë. Klubi do të përballet me probleme financiare në të ardhmen e afërt, por pavarësisht kësaj përflitet se Barça do të blejë yje të mëdha si kë tjetër përveç fenomenit norvegjez, Erling Haaland.

Koeman nuk e ka pranuar por as nuk e ka mohuar interesimin e Barcelonës për sulmuesin e Dortmundit të shtunën në konferencë për media, duke këmbëngulur se i ka në mendje yjet që i dëshiron në skuadër dhe se është duke pritur për të diskutuar rreth tyre me presidentin e ri, në vend se t’i bëjë publik emrat e tyre.