Parlamenti miratoi në seancën e sotme plenare 2 projektligje, 2 projektligje, por ama rrëzoi edhe dy dekrete të Presidentit Ilit Meta, të cilat ky i fundit i kishte kthyer për rishqyrtim.
I pari që u bllokua nga votat e mazhorancës ishte dekreti për taksat kombëtare, i kthyer nga Presidenti më 11 Janar. Më pas, të njëjtin fat pati edhe dekreti për miratimin e niveleve të tarifës doganore.
“Të dy dekretet e ardhura nga Presidenti i Republikës u rrëzuan. Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11.912, datë 11.01.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 151/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare” të ndryshuar”” mori 14 vota pro, 77 kundër dhe 9 abstenim, ndërsa dhe dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11.915, datë 14.01.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 168/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9981, datë 8.9.2008 “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore” të ndryshuar”” mori 13 vota pro, 79 kundër dhe 10 abstenim”.
Me 84 vota pro, 14 kundër dhe 5 abstenim deputetët e mazhorancës miratuan fondin për financimin e partive në zgjedhjet e 25 Prillit. ME 83 vota pro kaloi projektligji për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Ndërkohë dritën jeshile nga Kuvendi morën projektligjet për disiplinën në Forcat e Armatosura dhe ndryshimet në ligj për shëndetin mendor.
“Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 173/2014 “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” plotësonte disa mangësi të vërejtura gjatë kohës së tij të zbatimit, duke garantuar përmirësimin e funksionimit të Forcave të Armatosura, rendin dhe disiplinën e ushtarakëve të Forcave të Armatosura përmes përcaktimit të një liste të alternativave të shkeljeve që mund të kryen gjatë ushtrimit të detyrës nga ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë së bashku me listimin e disa lloje masash disiplinore për secilën shkelje. Ky projektligj gjeti mbështetjen e diskutantit në emër të grupit të Partisë Socialiste, z. Xhemal Qefalia dhe në fund të diskutimeve, u miratua me 83 vota pro, 13 kundër dhe 5 abstenim”, thuhej në një njoftim të Kuvendit. Ndërkohë projektligji për shëndetin mendor gjeti mbështetjen me 91 vota pro, 12 kundër dhe 1 abstenim.