Nuk ka më dilema, Lewis Hamilton do të vijojë të jetë piloti i Mercedez në Formula 1. Shtatë herë kampioni i botës ka arritur akordin e rinovimit të kontratës me skuderinë gjermane. 36-vjeçari anglez ka zgjatur bashkëpunimin me një tjetër vit me Mercedes. Hamilton do të nisë sezonin e nëntë me këtë skuderi, me objektivin për të fituar titullin e tetë personal, diçka që nuk e ka arritur asnjë pilot.

“Unë po pres me padurim të filloj sezonin tim të nëntë me shokët e mi të ekipit Mercedes. Ne kemi arritur rezultate të jashtëzakonshme së bashku dhe shpresojmë të vijojmë me fitore duke vazhduar të rritemi, si brenda dhe jashtë pistave.

I jam mirënjohës skuderisë për mbështetjen. Ndihem krenar për rinovimin. Jam shumë i motivuar dhe mezi po pres marsin për t’u rikthyer sërish në pistë“, deklaroi kampioni i madh i Formula 1 pas publikimit të lajmit zyrtar të rinovimit.