Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila prej kohësh është duke luftuar reformën në drejtësi, ka dalë hapur kundër vettingut. Nënkryetari i kësaj partie, Petrit Vasili, ka thënë se menjëherë kur të vijnë në pushtet më 25 prill, fillimisht ata do të anulojnë vettingun në polici.

Vasili foli jo vetëm në emër të LSI, por të gjithë opozitës së bashkuar. Në një deklaratë për mediat, Vasili u shpreh se ky ligj është zbatuar në mënyrë preferenciale, politike dhe është kthyer në mjet shantazhi për punonjësit e Policisë së Shtetit. “I gjithë vettingu në vend të kryhej nga një trupë e pavarur e Policisë, u krye thjesht nga të njëjtët njerëz, që në mënyrë selektive, donin të largonin njerëzit e ndershëm, punonjësit e policisë që zbatojnë ligjin dhe për ti kthyer ata në një polici politike.

Ky është një nga aktet më të rënda që mund të ndodhte. Degradimi i këtij ligji ishte kryerja e shantazhit edhe mbi policin më të thjeshtë, duke i kërkuar atij edhe faturat e llacit të banesës së ndërtuar 27 vjet më përpara, të atyre shumë banesave të varfra, të shumë policëve që vijnë nga familje të thjeshta, të ndërtuara me solidaritetin e vëllezërve, kushërinjve, të gjithë bashkë për të siguruar mbijetesën në banimin e tyre. E këta mijëra policë mbahen nën shantazh, e kokat e policisë të përfshira në krim, në trafik, në korrupsion, në drogë e gjithçka kalojnë lehtësisht vettingun, qofshin këta edhe ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit.

Ky vetting është nul, është zero. Opozita, pas fitores së 25 prillit, do të anulojë këtë ligj të vettingut, do ta shfuqizojë, do ta zhdukë një ligj të tillë të poshtër e të shëmtuar, i cili është një ligj që kërkon vetëm e vetëm transformimin e policisë në një polici politike, ushtare të Edi Ramës dhe jo ushtare të ligjit, apo ushtare të qytetarit të thjeshtë, që ti shërbejë atij për ti qëndruar prapë, për ti garantuar siguri, për ti treguar që ligji është në krahun e qytetarit dhe jo në krahun e trafikantit, horrit dhe të kriminelit.

Prandaj do ta anulojmë këtë ligj dhe do të bëjmë një ligj, që do të kërkojë një pastërti të jashtëzakonshme, qelibar, për të gjithë krerët e policisë sepse populli me të drejtë thotë që: ‘Peshku qelbet nga koka’, e nuk do të lejojmë kurrë që njerëz të inkriminuar të vazhdojnë të qeverisin Policinë e Shtetit. Patjetër do të bëjë zero edhe këtë pseudo-vetting, që u dha alibi këtyre maskarenjve dhe ata do ti nënshtrohen nga e para një vettingu, por të bërë nga një trupë e paanshme dhe jo nga ata që i bëjnë vetting vetes së tyre”, tha Vasili.

Normalisht, nëse vijnë në pushtet, këtë argument do të përdorin edhe për vetingun në drejtësi për ta zhbërë, me pretendimin se është përdorur në mënyrë preferenciale dhe janë goditur padrejtësisht gjyqtarë e prokurorë, “armiq” të Ramës.

LSI, dhe më konkretisht Ilir Meta, bashkë me aleatin e tij Sali Berisha, kanë që në krye të herës që luftojnë kundër reformës në drejtësi. Ata kanë bërë gjithë përpjekjet e mundshme për të mos e votuar atë dhe më pas për ta zvarritur. Ditët e fundit ata madje sulmuan edhe SHBA, pse vlerësoi një prej njerëzve kryesorë të reformës në drejtësi, Ardian Dvoranin. Dhe sinjalet se do ta anulojnë reformën në drejtësi, nëse vijnë në pushtet, e kanë dhënë prej kohësh. Vasili thjesht e ka përforcuar këtë ide ditën e sotme, duke e nisur nga vettingu në polici.