Manchester City provoi të bindë Lionel Messin të transferohet në “Etihad Stadium” që gjatë verës së kaluar dhe mediat angleze raportuan se ylli argjentinas mori një ofertë vërtetë joshëse prej 600 milionë paundësh për një periudhë 4-vjeçare. Bëhej fjalë për një ofertë për të luajtur dy sezone me fanellën e “citizens’ dhe dy të tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me klubin tjetër në pronësi të shoqërisë nga Katari, New York City.

Megjithatë kriza ekonomike ka dhënë efektin e vet edhe te klubet më të pasura dhe “The Sun” raporton se Manchester City ka ulur ofertën në drejtim të Messit me plot 170 milionë paundë, duke njoftuar menaxherët e tij se nuk mund të shkojnë përtej shifrës së 430 milionë paundëve. Kjo lëvizje e skuadrës nga Manchesteri mund të ndikojë jo pak në garën për të marrë shërbimet e yllit argjentinas, pasi “citizens” do të duhet të duelojnë deri në fund me Paris Saint Germain, që gjithashtu ka shprehur hapur interesin për Messin.

Vetë ylli argjentinas duket gjithmonë e më i bindur për të lënë Barcelonën, duke qenë se klubi katalan po përjeton një periudhë kaosi dhe vështirësish ekonomike dhe rikthimi në garën për trofe do të kërkonte disa vite. Kontrata e Lionel Messit me Barcelonën skadon në fund të këtij sezoni dhe deri tani nuk është bërë asnjë përpjekje për rinovim, ndaj klubi që do të bindë argjentinasin, do të marrë falas kartonin e tij.