Trafiku në disa rrugë në Maqedoninë e Veriut paraqet vështirësi, pasi vende-vende ka mbetje të dëborës në rrugë, për shkak të temperaturave të ulëta, si edhe ngrica. Në disa akse rrugore ka ndalesë për lëvizje për automjetet e rënda transportuese, ndërkohë që është bllokuar rruga mes zonas së Rakonvcit dhe Germanit. ”Auto Moto” e Maqedonisë informoi sot në mëngjes se ndalesë për kamionë ka në rrugën Prilep–Kavadar, përmes kalimit malor Pletvar, ndërsa në rrugën Tetovë-Kodër Diell ndalesa është për kamionët dhe për autobusët.
Ndalesa ka edhe në akset rrugore Manastir–Resnjë, përmes kalimit malor Gjavatë, Kriva Pallankë-vendkalimi kufitar Deve Bair si dhe krahu Mavrovë-Dibër, ku është ndaluar lëvizja për automjete të rënda transportuese. Automjetet e rënda transportuese nuk mund të lëvizin edhe në rrugën nga Dibra drejt Strugës, ndërsa në drejtim të kundërt nga Struga drejt Dibrës nuk ka ndalesë.