Pikërisht në ditën e fundit kur skadon edhe afati për regjistrimin e koalicioneve në KQZ, Lulzim Basha ka firmosur marrëveshjet me disa nga aleatët e tij. Negociatat më të vështira i pati me kryerepublikanin Fatmir Mediu, i cili më herët i ka kërkuar që në konsideratë të merret pesha elektorale ndër zgjedhje e forcës së drejtuar prej tij. Pas dakordësisë së arritur, Mediu nuk dha shumë detaje lidhur me numrin e mandateve të sigurta që mori në këto negociata të vështira me demokratët, por tha se marrëveshja i shërben fitores së koalicionit opozitar në 25 Prill. “Ky është një proces që nuk mbaron sot, është një proces që vazhdon. E kem thënë proporcionaliteti, dhe këtu kemi rënë dakord, është një vlerë që duhet të vlerësohet. Nuk i shërben partive politike, por i shërben koalicionet për fitoren e zgjedhjeve” – tha Mediu sot.
Marrëveshjen e firmosi edhe me Agron Dukën e ambientalistëve, të cilit më herët i kishte premtuar vendin e tretë në listën fituese të deputetëve në qarkun e Durrësit. Njëri pas tjetrit në zyrën e kryedemokratit u ngjitën edhe aleatët e tjerë të opozitës për të firmosur marrëveshjen nga Dashamir Shehi i LZHK-së, Vangjel Dule i PBDNJ-së, Shpëtim Idrizi i PDIU-së. Sakaq marrëveshjen demokratët e kanë mbyllur edhe me LSI-në, ku secila prej partive do të garojnë me listën e vet në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier, Lezhë, Shkodër, Berat dhe Vlorë. Ndërsa në qarkun e Dibrës dhe Kukësit është lënë e hapur mundësia për të dalë me listë të përbashkët. Por surpriza e këtyre negociatave është rikthimi në selinë blu i ish-Presidentit Bamir Topi, i cili pritet të nënshkruajë në vijim marrëveshjen mes PD-së e Frymës së re Demokratike. Më herët Basha nënshkroi marrëveshje edhe me Artur Rroshin e Ballit Kombëtar, që aktualisht është deputet në kuvend.
Mësohet se në marrëveshje nuk do të ketë të përcaktuar numër, sesa mandate apo në çfarë nivel përfaqësimi do të jenë partitë aleate në listat e kandidatëve që do të hartohen në 5 mars. Poshtë emrit të koalicionit opozitar do të shkruhen edhe emrat e partive, siç u vepra edhe në zgjedhjet e vitit 2017.