Albi Nako bëri xhiron e rrjetin për shkak të një komenti ndaj konkurrentes Bela në rubrikën “Just Dance” në ‘E diell’ ku pati një sërë reagimesh e komentesh për mënyrën si iu drejtua 40-vjecares.

“Për mua është personazh tipik i atyre filmave ‘Planeti i majmunëve’. Komplimente, por unë mendoj që të garosh me këta të rinj, pa përjashtuar gjithë energjinë tënde, je në një moshë…më mirë martohu dhe bëj fëmijë”, i tha Nako. Këtë batutë e ka sqaruar në emisionin “Wake Up” duke sqaruar se si ndodhi situata duke thënë se njihet prej vitesh me Belën dhe për gjithçka u fol kishin rënë dakord më parë.

Megjithatë, nuk ia merrte mendja kurrë që reagimet do ishin aq të mëdha sa do të arrinin deri në mallkime.

“E vërteta është se nuk e di nëse në Top Channel hyra me këmbën e djathtë apo të majtë. Në atë emision, bëra një marrëveshje të plotë me konkurrenten sepse njihemi prej 15 vitesh dhe lëshova atë batutë. Është e kollajshme që në çdo intervistë, të marrim poza sikur marrim rolin e akademikut. Unë mundohem të jem vetvetja. Prisja të kishte reagim minimalist, por batuta ime ndaj konkurrentes ishte galaktike dhe u ndesha me një sërë ofendimesh. Ajo çfarë më bëri përshtypje është se shkuan deri në mallkime. Kam marrë mesazhe nga më të ndryshme, u mërzita dhe thashë si mund të ketë kaq shumë urrejtje. Edhe sot e kësaj dite më vijnë mesazhe. E kuptoj që jemi popull i trysnuar dhe i toksikuar nga hallet, por vjen një moment i caktuar që godet dikë pasi i sheh gjërat nga vrima e çelësit.

Unë asaj vajze doja ti bëja një promo sepse e njoh prej vitesh. Është e vuajtur dhe është mësuese gjimnastike në Korçë dhe i thashë që do të të them një batutë të tillë dhe patëm një marrëveshje. Nuk ishte i vetmi rast pasi vë re herë pas here që vijnë kështu mesazhe fyese kundrejt figurës. Historikisht njerëzit janë kapur me fytyrën dhe lëkurën time. Unë uroj që hallet e shqiptarëve të jenë tek batutat e mia, lëkura ime apo gjatësia e Irgenit”, tha Nako.