Teksa Bashkimi Europian ka mbetur shumë prapa me procesin e vaksinimit kundër koronavirusit, liderët e vendeve anëtare po lenë mënjanë interesin gjeopolitik. Pas vonesave me furnizimin nga 3 firmat amerikane e britanike që kanë marrë aprovimin, kancelarja gjermane Angela Merkel nuk përjashton mundësinë e përdorimit të vaksinës Sputnik V të zhvilluar nga një vend me të cilin po mbushet një dekadë marrëdhëniesh të akullta.
“Gjithmonë e kemi thënë, kushdo që arrin të marrë lejen e Agjencisë Europiane të Barnave EMA është i mirëpritur përzemërsisht tek ne. Kam folur për këtë edhe me presidentin rus Vladimir Putin dhe së fundi kemi lexuar vlerësime të mira për vaksinën ruse”.
Revista shkencore prestigjioze Lancet publikoi të martën të dhënat e rishikuara të testimeve të fazës së tretë tek 20 mijë njerëz në vende të ndryshme të botës, që konfirmuan efektshmërinë 91.6% të vaksinës ruse Sputnik V. Kancelarja gjermane Angela Merkel konfirmoi angazhimin që deri në fund të verës, Gjermania të ketë siguruar doza të mjaftueshme për të vaksinuar çdo qytetar në vendin 83 milionësh.
Sakaq, sekretari britanik për shëndetin Mat Henkok iu referua një studimi ende të papublikuar nga universiteti i Oksfordit që arrin në përfundimin se vaksinat garantojnë frenimin e përhapjes së Covid-19 dhe fundin e pandemisë.