Nga Endri Kajsiu/ Fushata e Partisë Demokratike dhe prapaskenat e saj, ka nisur të bëhet gjithmonë e më e lexueshme. Ajo zhvillohet pak a shumë në trekëndëshin SHQUP-Presidencë-Zyra e Berishës. Monika Kryemadhi ka zgjedhur të qëndrojë jashtë këtij trekëndëshi, duke preferuar të flasë marrëzira në studiot televizive, si ajo që ndërkombëtarët lënë me barrë vajzat shqiptare, si duket me synimin që askush të mos e marrë seriozisht. Në ndërkohë, dueti Berisha Meta ka zgjedhur këngën e pandemisë për këtë javë, dhe I kanë kërkuar që t’ia marrë i pari kukulla e tyre në SHQUP.
Lulzim Basha ka mbledhur dje disa mjekë, dhe ka folur për situatën e pandemisë, duke sulmuar Kryeministrin Rama. Duke qenë një monolog i gjatë, Basha ka vazhduar i patrazuar, pa iu dashur të japë përgjigje për pyetje të tilla, si fjala vjen, si është e mundur që vende si SHBA, Britania e Madhe, Gjermania , Italia, Franca etj janë në një situatë të vështirë prej një viti prej pandemisë. Siç do të thoshte një analist në një studio televizive, “Shqipëria është i vetmi vend në botë ku kryetari i opozitës del e flet si drejtor spitali, pasi asnjë kryetar opozite nuk del të flasë për ditë duke sulmuar qeverinë për virusin”. Sot, në një sinkronizim të dukshëm, ka qenë radha e dy njerëzve që lëvizin fijet e administratorit të SHQUP-it. Në fillim Berisha dhe më pas Meta, kanë sulmuar qeverinë mbi menaxhimin e pandemisë.
Ndërkohë që Meta i jep qeverisë mend prej një viti, edhe pse askush nuk ia ka kërkuar, Sali Berisha ka bërë dhe propozimet e tija, edhe këto të pakërkuara.
Me tone urdhëruese, ish Kryeministri i kërkon qeverisë që të shkrijë komitetin dhe të ngrejë një komitet tjetër të drejtuar nga … Ilir Meta. Në fakt ky i fundit ka një vit që merret me pandeminë, dhe nismat e njëpasnjëshme, me komitete, ndërrim shefash kabineti (i fundit veteriner), portale etj i ka lënë të gjitha në gjysmë të rrugës, sapo ka vënë re se nuk i shërbejnë më politikës së ditës.
Ajo që është e qartë tashmë, është se Presidenti që një vit më parë përbetohej mbi Kushtetutën, tashmë e ka shkelur me të dyja këmbët dhe ka hyrë në fushatë, në të cilën i kanë ndarë rolet: Lulzim Basha ia merr këngës në SHQUP, Sali Berisha ia kthen nga zyra e tij në një qendër biznesi, dhe ison e mban Ilir Meta në presidencë. Monikën dhe Tit Vasilin, hëpërhë i kanë lënë në reshtin e fundit të korit të vdekjes.