Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi ka prezantuar nëpërmjet një videoje Kristi Isakun, e cila jep kontribut pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar (DPAP) dhe është një nga 210 të rinjtë e punësuar me kontratë 1-vjeçare pune falë “Thirrjes V” të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.
Duke qenë tashmë një pjesë integrale e “Paktit për Universitetin”, Ministrja Kushi nënvizon se ky program është “një mundësi shumë e mirë për integrimin e të rinjve në administratën qendrore e vendore, si dhe institucionet e pavarura apo shoqëri të ndryshme tregtare”. Ndërkaq, në videon prezantuese Kristi cilëson se ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, profilizuar në Master Shkencor Civil.
“Me të përfunduar studimet, e ndodhur në pasiguri për krijimin e eksperiencave të para të marrëdhënies së punës, u njohu me Programin Kombëtar të Praktikave të Punës. Përmes linkut të publikuar në faqen zyrtare të MASR, bëra aplikimin dhe përfitova praktikën 3-mujore pranë DPAP. Sot, si meritë e përkushtimit ndaj mundësisë që mu dha, jam pjesë e DPAP përmes nënshkrimit të një kontrate 1-vjeçare pune dhe e shoh Programin Kombëtar të Praktikave të Punës si një mundësi mjaft të mirë për kualifikim profesional dhe personal” – shprehet ajo.
Deri më sot janë zhvilluar 5 thirrje nga Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, i cili shërben si një mundësi shumë e mirë për ata të rinj mes moshës 21-26 vjeç që në fakt nuk kanë shkëlqyer me mesataren mbi 9 gjatë studimeve dhe u krijohet mundësia për t’u integruar në administratën qendrore, administratën vendore, institucionet e pavarura apo shoqëri të ndryshme tregtare.