Qeveria shqiptare ka miratuar këtë të mërkurë huanë mes Këshillit të Ministrave dhe Fondit Saudit për zhvillimin e projektit të rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare Vlorë-Orikum, që kap vlerën e 112 500 000 rialësh sauditë.

Vendimi i qeverisë është publikuar sot në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, ku mësohet se vendimi hyn në fuqi menjëherë.

Ky vendim, bëhet me dije në VKM-në e qeverisë është marrë në mbështetjet të nenit 100 të Kushtetutës së Shqipërisë, për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë, dhe të nenit 26, “për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas vendimit, qeveria miraton në parim marrëveshjen e huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për projektin e rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum), në shumën prej 112 500 000 (njëqind e dymbëdhjetë milionë e pesëqind mijë) rialësh sauditë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ndërkohë që, Qeveria ka shfuqizuar vendimin nr.745, datë 23.9.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për projektin e rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare Vlorë-Orikum. Për këtë marrëveshje (nr 745) ka patur dhe një debat mes Presidentit Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë deklaronte më datë 6 janar, gjatë një interviste televizive se, “po ashtu jemi në përfundim të procedurës për fillimin edhe të projektit me Fondin Saudit, pasi u detyruam të hamë me bukë kur i thonë, turpin e Presidentit edhe t’u drejtohemi edhe një herë autoriteteve saudite të cilat treguan gatishmëri që të kalohet në nivelin tjetër të plotfuqishmërisë, tek qeveria. Edhe rruga tjetër, ajo e Radhimës e cila ka filluar, do të shoqërohet me projektin e vazhdimit të Lungomares në pjesën e bregdetit nga Fondi Saudit”.

Rruga e re lidhëse nga Uji i Ftohtë në Radhimë dhe Orikum prej 11 kilometrash, pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin në këtë segment të rëndësishëm drejt Bregut, por edhe të krijojë një infrastrukturë të denjë për Vlorën turistike. Rrugës ekzistuese do t’i shtohet edhe korsia e biçikletave, bashkë me elementë të rinj të mobilimit urban. Ndërkohë që një rrugë e re do të sigurojë ndarjen e trafikut të makinave nga traseja ekzistuese, e cila do të kthehet në zonë këmbësore në pjesën e Radhimës, ku do t’i jepet prioritet pushuesve e njësive të shërbimit të zonës.