Në rubrikën “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare ka qenë e ftuar Ketjana, një vajzë 25-vjeç e cila ka rrëfyer historinë e saj të dhimbshme dhe sakrificat e mëdha që kanë bërë prindërit e saj pasi bëri një aksident dhe përfundoi në gjendje kome. Mjekët nuk i dhanë shpresa dhe i thanë që të bënin përgatitjet. Në momentin që i ati përfundon përgatitjet e varrimit, Ketjana zgjohet nga koma dhe ka lumturuar të gjithë, duke i bërë të besojnë në mrekullitë. Ketjana: Do flas për një histori që ka ndodhur para 7 viteve. Makina ku ndodhesha u përplas me një mur. Unë u ndodha pa ndjenja dhe kam ndenjur 3 muaj në gjendje kome. Isha 18 vjeç, për familjen time ishte një ferr i vërtetë. Kur babi im ka marrë një telefonatë nga policia që Ketjana ka bërë një aksident, s’ka ditur çfarë të flasë, thjesht ka mbyllur telefonin edhe është nisur për spitalin ku ndodhesha.
Drejtuesi i spitalit ku unë ndodhesha i preu shpresat babit, bëj çdo gjë gati sepse nuk ka më shpresë që të jetojë goca. Babai im nga ky lajm që i dha, shkon në Krujë, bën gati shtëpinë, çdo gjë që mund të pritej për një vdekje timen, madje mund të them që edhe ka bërë gati arkivolin tim. Pasi babi i kishte bërë të gjitha gjërat gati, po kthehej tek spitali ku unë ndodhesha, tek dera e spitalit, infermieri i parë që ka dalë aty i thotë hajde shpejt, Ketjana u zgjua, Ketjana ka thirrur o ba. Marsela Çibukaj: Ti u zgjove pas 3 muajsh dhe gjatë atyre muajve, nuk ke asnjë kujtim? Ketjana: Sikur të isha në gjumin e zakonshëm. Marsela Çibukaj: Kur i zgjove, cili ishte imazhi i parë që ti pate? Ketjana: Imazhi i parë që kam ishte mami im që më rrinte tek koka. Kur isha 3 muaj në koma në spital, familja ime e kanë gdhirë me mua, duke fjetur të gjithë në makinë, me halla, xhaxhallarë dhe kam shumë falenderime për të gjithë fisin tim.
Marsela Çibukaj: Unë di që nuk ka kontribuar vetëm familja jote, por edhe një pjesë e komunitetit të Krujës, apo jo? Ketjana: Pasi u zgjova nga koma, pas 1 jave me avion privat më dërguan në Milano, në aeroportin e Malpensës, më ka pritur xhaja im me nusen e vetë. Kisha nevojë për fizioterapi sepse unë nuk lëvizja dot dorën dhe këmbën e djathtë. E sot e kësaj dite i ndjej dhimbjet. Bëra 4 muaj fizioterapi, edhe xhaja im ka marrë kredi për shërbimin tim. Qëndrova 4 muaj në Itali u rikuperova dhe në 1 Mars të 2014 vij në Shqipëri me këmbët e mia.