Ekspertët rekomandojnë që personat që kanë kaluar koronavirusin të marrin vetëm një doze vaksine. Epidemiologia në Amerikë, Erta Cenko thotë se kjo masë do të sillte një mbrojtje më të gjerë të popullatës dhe përdorim sa më të gjerë të vaksinës, në një kohë kur shumë vende po përballen me numër të kufizuar dozash. “Shumë studime tregojnë se një dozë e vetme e Pfizer dhe Moderna mund të garantojnë mbrojtje afërsisht 68 %. Një studim i fundit ka treguar që për këta persona një dozë është e mjaftueshme.

Në një situatë ku ndodhemi që dozat janë të pamjaftueshme, është mirë që të sigurohet mbrojtje më e vogël dhe të vaksinohen më shumë persona”. E pyetur për mutacionet që janë vënë re në Kaliforni dhe New York, epidemiologia Erta Cenko thotë deri tani këto mutacione kanë të njëjtat shenja si ai i Afrikës së Jugut dhe Brazilit. “Ky variant është gjetur në 25 % të rasteve në New York, ky variant ka degëzime që ngjasojnë me atë të Afrikës së Jugut dhe Brazilit. Përhapen më shpejt se variantet e tjera”. Ekspertët i druhen faktit se ndryshimet e shpejta të virusit mund të bëjë që vaksinat të mos jenë efektive. Por deri tani ka rezultuar se vaksinat e Pfizer dhe Moderna janë efektive ndaj mutacioneve të reja.