Partia Demokratike ka futur si plan të saj pastrimin e politikës nga komunistët dhe ish-anëtarët e Partisë Komuniste. Basha në fundjavë prezantoi programin për të përndjekurit politikë, ku premtoi një formë lustracioni ndaj bashkëpunëtorëve të sistemit komunist. Por a është kjo lëvizje një goditje e fortë ndaj Sali Berishës dhe sinjal për të ndaluar kandidimin tij në zgjedhje? Kohët e fundit është folur shumë se ndërkombëtarët duan largimin e tij, por ish-kryeministri duket i vendosur. Mirëpo futja e një ligji të tillë duket se eliminon Berishën. Janë të shumtë ata që thonë se Berisha ka pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit, ndërsa shumë dosje janë zhdukur. Por i vetmi që ka arritur të sigurojë dokumentin, ku pretendohet se Berisha ka qenë pjesë e Sigurimit dhe Partisë Komuniste është deputeti socialist Spartak Braho. Gazeta kontaktoi dje me deputetin për të folur mbi këtë çështje dhe Braho ka deklaruar se ka të dhëna që dëshmojnë se Berisha ka qenë pjesë e Sigurimit.
“Sali Berisha është rekrutuar nga Sigurimi Shqiptar dhe ka përzgjedhur pseudonimin “Penicilina”. Unë disponoj dëshmitë me shkrim të ish-operativit të Sigurimit të Shtetit, Ali Anadollit, i cili e ka rekrutuar Sali Berishën si agjent në vitin 1967.
Ka rëndësi të theksohet viti, pasi në vitin 1968 Sali Berisha është pranuar anëtar i PPSH-së për devotshmërinë e lartë që ka treguar”, ka thënë Braho. Por çfarë thuhet në dokumentin e Ali Anadollit? Aty tregohet me detaje se si Berisha u fut në Partinë Komuniste, duke shkuar më parë te Sigurimi i Shtetit.
“Në vitin 1962, Sali Berisha erdhi në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Mjekësisë. Në atë kohë sektorin e mjekësisë e mbulonte ai. Pasi mbaroi studimet u mbajt në spitalin e Tiranës si mjek kardiolog dhe më vonë si kardiokirurg. Në këtë kohë ai përgatiti dokumentet për t’u futur në parti. Një vëlla i tij, me emrin Selim, kishte mik kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Tropojës, Idriz Shehun. Ai i kërkoi Idrizit ta ndihmonte të vëllanë për t’u pranuar në parti. Idrizi i përgjigjet se në kushtet e Sali Berishës (me probleme në biografinë e familjes), për t’u pranuar në parti, duhej që edhe ai ta ndihmonte shtetin me shërbime të veçanta, prandaj ai duhej takuar dhe t’i merrej mendimi nëse ishte dakord kështu.
Pas takimit me Saliun në Tiranë dhe pasi mori miratimin e tij, i vëllai (i cili sot nuk jeton, pasi ka vdekur nga zemra dhe që ishte i vetmi person pozitiv në fisin tyre) u kthye në Tropojë”, thuhet në dokumentin e Ali Anadollit, të siguruar nga deputeti Braho. Më tej tregohet se Berisha u bashkua me Sigurimin dhe ka marrë pseudonimin “Penicilina”. Pasi u bashkua me Sigurimin ai u bë pjesë e partisë, theksohet më tej. “Pas disa kohësh, bashkë me kryetarin e Degës, u nisën me makinën e tij për në Tiranë dhe u takuan me persona të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët e tërhoqën Saliun në bashkëpunim, me pseudonimin “Penicilina” dhe pas kësaj, iu miratua edhe kërkesa për të hyrë në parti.
Sali Berisha u studiua mirë nga Sigurimi i Shtetit dhe pranimi për rekrutimin e tij lidhej me ambicien e madhe për karrierë. Në atë kohë ishte rregull që dosje e kuadrit që bashkëpunonte me Sigurimin e Shtetit nuk ruhej në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, por nga Drejtori në Drejtorinë e Punëve të Brendshme në Ministri. Kur erdhi në pushtet, jo më kot, Sali Berisha e futi në bu rg ish-drejtorin në ministri, Zef Loka, një burrë i ndershëm që e kishte ndihmuar shumë Sali Berishën në zgjidhjen e çdo problemi familjar”, thuhet në raportin e Anadollit, një pjesë e të cilit është bërë dhe pjesë e librit të zotit Spartak Braho “Masakroni Servet Pëllumbin”. Pra nëse PD shkon te lustracioni, Berisha është kryesori që rrezikon largimin.