Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Drejtori OST, Skerdi Drenova në një komunikim për publikun dhanë detaje sa i takon situatës me linjat e transmetimit të energjisë elektrike në të gjithë territorin e vendit.
Balluku tha se, “të gjitha grupet e punës në terren dhe gatishmëri të plotë”.
“Sapo mbarova një inspektim në rrugën e aksit kombëtarë nga Tiranë në Elbasan. Sigurisht aty sqaruam të gjithë situatën që kishim nëpër akse. Akse kombëtarë të gjitha të hapura, nuk kemi asnjë të bllokuar, por çfarë është e rëndësishme se të gjithë drejtuesit e automjeteve duhet të kenë parasysh që ka akse që qarkullohet vetëm me goma dimri ose më zinxhirë. Policia e Shteti ndodhet kudo, ajo e qarkullimit rrugorë për të ndaluar për të këshilluar por dhe për të mos lejuar këto drejtues që të futen në ato akse që janë konsideruar si akse problematike dhe që duhet zinxhiri ose gomat e dimrit që të futen dhe të aksesojnë ato akse”, tha ajo.
Po ashtu, Balluku shtoi se “duhet të kemi parasysh faktin se kjo është një situatë e jashtëzakonshme. Këtu jemi përballë një moti ekstrem, një stuhi të cilën e kemi parë se si ka prekur dhe vendet e tjera të rajonit dhe të Europës dhe po përballen me të. Kjo stuhi do të vazhdojë deri të premten dhe nuk është e thënë të ketë reshje bore, dhe shpresojmë si reshjet e borës si të shiut të ndalojnë brenda mbrëmjes së sotme por që do të pasohen nga temperatura të ulëta ekstreme. Presim në veri nga -15 deri -17 gradë”.