Shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin ndodhen në shërbim 24 orë, në të gjitha akset rrugore kryesore, për të drejtuar qarkullimin rrugor, me qëllim parandalimin e çdo aksidenti sado i vogël të jetë ai, si dhe për t’i ardhur në ndihmë çdo drejtuesi mjeti që mund të ketë probleme.
Policia e Shtetit njofton se “nisur nga moti i keq me reshje shiu pothuaj në të gjithë akset rrugore të vendit dhe reshjet e borës në zonat malore, Policia Rrugore tërheq vëmendjen e të gjithë drejtuesve të mjeteve, sidomos atyre që qarkullojnë në zonën e Dajtit, në Fushë Labinot, në Qafë Plloç, në Pogradec, Korçë, Dibër, Kukës, Lezhë, Llogora e Qafë Muzinë, për kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjeteve”.
“Shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin ndodhen në shërbim 24 orë, në të gjitha akset rrugore kryesore, për të drejtuar qarkullimin rrugor, me qëllim parandalimin e çdo aksidenti sado i vogël të jetë ai, si dhe për t’i ardhur në ndihmë çdo drejtuesi mjeti që mund të ketë probleme”, bën të ditur Policia e Shtetit.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës që të shmangin lëvizjet e panevojshme në rrugë, të tregojnë kujdes maksimal dhe të përdorin zinxhirët e gomave për automjetet, sidomos në akset rrugore me dëborë dhe me ngrica.
Shërbimet e përforcuara të Policisë Rrugore po monitorojnë trafikun edhe në qendrat e banuara, ku prezenca e ujit ka sjellë ngadalësim të trafikut dhe bllokim të përkohshëm të qarkullimit.
E gjithë situata po monitorohet në bashkëpunim me shërbimet e tjera të Policisë së Shtetit dhe me Emergjencat Civile, për të evituar ngjarjet rrugore dhe për të siguruar qarkullimin normal të mjeteve dhe të mallrave. Për çdo problem kontaktoni në numrin falas të Policisë së Shtetit 112.