Nga Alfred Peza/
Disa njerëz jetojnë çdo ditë në të shkuarën përmes kujtimesh, historish, ngjarjesh dhe përjetimesh të së djeshmes së afërt a të largët. Shumica e njerëzve jetojnë në të sotmen duke punuar, luftuar dhe duke u munduar që ta shijojnë jetën në përditshmërinë e saj, me të gjitha të mirat e sfidat që ka brenda. Ndërsa Lulzim Basha hyn tek ata më të rrallët njerëz të kësaj bote, që jetojnë në të ardhmen, a thua se e shkuara dhe e sotmja për të nuk ekziston. Nëse ai do të ishte një qytetar i thjeshtë, kjo nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe. Përkundrazi. Sepse nëse ai do të kishte përgjegjës vetëm për veten dhe familjen e tij të ngushtë biologjike, kjo mund ta vizatonte vërtetë Lulzim Bashën me penelata paksa naïve, por gjithësesi interesante. Ndoshta edhe paska futuriste, por në fund të fundit, në dukje simpatike nga larg. Paksa idealiste, por edhe me nota romantike pse jo, herë pas here.
Por Lulzim Basha nuk është një qytetar që ka përgjegjësi vetëm për veten e tij. Sepse ai është jo vetëm Kryetari i një partie politike por edhe kandidati i opozitës për Kryeministër në zgjedhjet e 25 prillit. Për rrjedhojë nëse fiton prej tij varen ëndrrat, dëshirat dhe fatet jo vetëm të popullit opozitar, por edhe ato të Shqipërisë në 4 vitet e ardhshme e më tej ndoshta. Lulzim Basha është nga ai steriotip i rrallë politikanësh që jeton në të ardhmen, jo sepse është strateg, largpamës, vizionar apo një njeri me aftësi të rralla që e bëjnë atë që të udhëtojë në kohë dhe hapësirë, përtej realitetit normal si të gjithë ne të vdekshmit e tjerë. Jo.
Lideri i opozitës shqiptare jeton në të ardhmen, sepse kërkon që ti iki përgjegjësive të së sotmes. Duke mos nxjerrë mësime nga të gjitha dështimet e tij të së djeshmes, për tu ballafaquar dot me to sot, Lulzim Basha e ka zhvendosur projeksionin drejt së nesërmes. Duke mos patur asnjë projekt të besueshësm sot, ai po mundohet që ti shmanget fushatës aktuale në terren, duke krijuar një realitet virtual që rreket ti bëjë shqiptarët të jetojnë atë që nuk ka ardhur ende. Kjo është arsyeja se përse propoganda opozitare po mundohet tua shesë shqiptarëve që sot Lulzim Bashën si shefin e një qeverie fantazëm, ende pa hyrë zyrtarisht as në fushatë elektorale.
Kjo është arsyeja se përse mediat pranë opozitës sonë botojnë që tani lajme me titujt qesharakë: “Pse Lulzim Basha u prit si kryeminitsër edhe në Slloveni”. Kjo është arsyeja se përse vetë Partia Demokratike në deklaratat e saj zyrtare se “ne do të zbatojmë gjithë planin tonë kur të fitojmë dhe nëse nuk do ta bëjmë, nuk do të kërkojmë mandat të dytë”! Kjo është arsyeja se përse Lulzim Basha gati në çdo takim virtual që po zhvillon, e vetmja gjë që po u kërkon shqiptarëve është që ti japin (jo ta fitojë) një mandat sepse ndryshe nga Edi Rama, ai nuk do të kërkojë më pas një të tretë!
Të gjitha këto e bëjnë Lulzim Bashën etalonin e njeriut që po jeton në të ardhmen, por kurrësesi edhe Kryeministrin e Shqipërisë së ardhshme. Sepse që të jesh në krye të qeverisjes dhe të punëve të një vendi, nuk mund ti shpëtosh dot bilancit me të shkuarën tënde politike, e aq më pak ballafaqimit me të sotmen. Lulzim Basha e bën këtë sepse është nga ai lloji i rrallë liderësh politikë, që gjithmonë i ka ikur përgjegjësive, ballafaqimeve, sfidave, përballjeve direkte, humbjeve dhe fitoreve që gjakojnë karizmën e njeriut që jep në betejat e tij të gjitha garancitë e duhura për të ardhmen.
Të kërkosh të të mos besojnë mandatin e dytë qeverisës, kur ende nuk e ke fituar të parin, është më shumë se ikje nga e sotmja. Të kërkosh të fitosh mandatin e dytë, me premtimin se nuk do të kërkosh një të tretë ende pa fituar as të parin, është më shumë se ikje nga ardhmja. Është thjeshtë një fluturim, nga ato që në jetë dihet sesi quhen, në gjuhën popullore…. Në kinematografi klasifikohen si filma fantastiko- shkencorë. Ndërsa në politikë, janë thjeshtë ëndrra me sy hapur, që një gjumash si Lulzim Basha i sheh edhe kur është zgjuar!