Shkencëtarët e Pentagonit kanë kryer me sukses testimin e një paneli diellor në hapësirë, i cili është i dizenjuar si protototip për të ardhmen ku të dërgohet elektricitet nga hapësira drejt çdo pike gjeografike në Tokë. Paneli, i njohur si Photovoltaic Radiofrequency Antenna Module (PRAM) u nis nga Toka i lidhur me dronin e Pentagonit X-37B në Maj të vitit 2020 me qëllim shfrytëzimin e dritës së Diellit për ta kthyer në elektricitet. Droni bën 1 xhiro të plotë rreth planetit Tokë për afro 90 minuta.

Paneli është i dizenjuar të përdorë në mënyrë sa më efektive dritën që nuk depërton përtej atmosferës dhe në këtë mënyrë ruan energjinë e valëve blu duke e bërë më të fuqishme se drita e Diellit që vjen në Tokë. Sipas ekspertëve, deri tani, njësia akoma nuk ka dërguar energji në Tokë pavarësisht se teknologjia është e provuar. Në rast se projekti zhvillohet në mënyrë të tillë që paneli të mbulojë disa kilometra të pjesës hapësinore afër Tokës, ai mund të prodhojë mikro-valë të cilat mund të kthehen në energji të pastër në çdo pjesë të planetit.