Sot do të nisë procesi i vaksinimit në qytetin e Vlorës. I gjithë procesi do të zhvillohet në ambientet e pallatit të sportit të qytetit. Prezent pritet të jetë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Por pak para nisjes së procesit të vaksinimit anti-COVID në Vlorë kryevaksinuesit Piro Begaj i ka rënë të fikët. Ai është ndjerë keq dhe ka humbur ndjenjat dhe më pas është marrë me ambulancë për t’u dërguar në spital.
Procesi i vaksinimit ka vijuar dje në dy qendrat e vaksinimit në Tiranë dhe Shkodër si dhe në Shtëpitë e të Moshuarve.
Gjatë ditës u kryen 612 vaksinime anti-Covid për personelin shëndetësor dhe në shtëpitë e të moshuarve. Që nga fillimi i vaksinimit, e kanë marrë dozën e parë të vaksinës 1693 persona, 620 mjekë dhe infermierë kanë marrë dozën e dytë dhe në total janë kryer 2313 vaksina anti-COVID.