Nga Vilma Bello/ Ligjërimi politik nuk mund të jetë qëllim në vetvete, sidomos kur përpjekja e këtillë ka mëtimin të veshë petkun e një etike të re komunikimi. “Gjuha totalitare” “gjuha e thyer a gjuha që thyen”, për fat të keq, është kthyer sërish në jetën publike, cekët, shpërfillëse dhe e zymtë, shenjë e të menduarit dhe e praktikës opozitare. Ajo që të bën përshtypje në narrativën monotone të përfaqësuesve politikë të opozitës, është, veç përpjekjes gati groteske në skenat e ngritura për të recituar tekste të dobëta, mungesa e plotë e përgjegjësisë për atë që thonë. Improvizo kundër Edi Ramës, si Kryeministër dhe si shenjë e çdo pune e reforme të kryer në këto 8 vjet. Kaq. I besojnë kaq shumë këtij stili, sa janë bërë të mërzitshëm edhe për të vetët si fillim. Pastaj, po aq janë të pabesueshëm për opinionin e gjerë shoqëror në Vlorë e jo vetëm, ku shija, funksioni, vlerat e ndryshimit mes punëve të kryera nën pushtetin e PD-së dhe punëve të përfunduara gjatë të qeverive socialiste me Edi Ramën, nuk ka nevojë për kallauz.

Në të vërtetë, përmbajtja e çdo teksti politik të opozitës, më shumë se me fjalë, është improvizimi mbi një podium i një spektakli të ngjashëm me përrallën, mishërim i ankthit të padurueshëm për të parë ëndrrën të jetësohet. E, ëndërrimthi, harrojnë se flasin para njerëzve që nuk janë as të paditur, as të painformuar e, madje, as ëndërrimtarë…

Kështu, me të gjithë elementet naive të rrëfenjës, është potpuria e fundit e PD-së, me neologjizmin “port shekullor” (term qesharak) të Vlorës në krye, kur flasin për Skelën tonë të vjetër, pa përjashtuar këtu pathosin konspirativ, që e pudros me të panjohurën e errët, rrëfenjën.

Përkatësisht, zelli përralltar i opozitës u tor mbi Vendimin Nr. 1 të KKT-së, datë 14. 10. 2020 “Për miratimin e Planit Kombëtar Sektorial të Transportit Detar dhe Infrastrukturës Portuale”, i cili parashikon zhvendosjen brenda një afat 3-vjeçar të Portit Detar të Vlorës në Triport, ose në Portin e Peshkimit.
E gjithë intriga e përrallës e, mbi të, edhe shpresa për të gjetur a sajuar publik, mbështetej mbi dy pseudoargumente; së pari, mbi fatin e investimeve të kryera deri tani në port dhe, së dyti, mbi mungesën e këshillimit publik për projektin.
Ajo që bie në sy menjëherë e që të bën të ndihesh ngushtë është fakti i dhimbshëm e i dukshëm: më e pakta, nuk e kuptojnë….

Qysh në krye, Skela e Vlorës, d.m.th., “porti shekullor”, pra dalja e Aulonës antike në det, ka një histori që nis në dekadat e para të shek.. VI e.s., fill pas zhvendosjes së saj prej – çfarë përkimi! – prej Triportit.

Ç’do të thotë shekullor për përfaqësuesit e PD? Po sikur të themi 1500 vjeçar? A mund të ketë argument në këtë formulim? Apo në stilin e përrallës 100 vjet janë klishe e pashmangshme? Ç’do të ndodhë pas zhvendosjes së portit të mallrave në Triport? Porti “shekullor” nuk do të jetë më port?! Apo porti turistik ka nevojë për të pasur mustaqet shekullore të portit të mallrave për të patur dinjitet?
Pos hyrjes së thekshme me 100 vjet, argumenti mbi investimet e kryera në port është sërish dëshmi e një mënyre të menduari në mos thellësisht të ngrirë, të paktën e pastrukturuar dhe pa histori.

Ja përse. Pikësëpari, Vlora, ka pësuar nje dinamikë të qartë urbane gjatë këtyre viteve. Ritmet e saj, ndërveprimi i brendshëm, hapësirat jo vetëm janë përmirësuar, por janë rindërtuar dhe kanë prodhuar realitete të reja, të panjohura. Ky cikël zhvillimi dialektik e ka prekur edhe portin, si pjesë e rëndësishme e jetës së qytetit dhe e ka ripërmasuar rolin dhe vlerën e tij. Ndërsa ka ndodhur ky proces, porti nuk mund të mbetej një karakatinë jofunksionale. Jeta dhe e ardhmja e portit nuk mund të kuptohen jashtë një sistemi ndërhyrjesh që e lehtësojnë të tashmen dhe vihen në funksion të së ardhmes.

Tjetër. Ideja dhe planifikimi kanë një të shkuar. Qysh para viteve ’90 ishte parashikuar ndërtimi i një porti të ri mallrash, me standarde të rendit bashkëkohor. Nevoja për ndërhyrje nuk është e re dhe as e panjohur.Më tej, investimet e kryera në port nuk zhbëhen; ato janë pasuri publike prej të cilave do të vilet një rentë publike. Për më shumë, sipas marrëveshjes paraprake, për tri vjet, koncesionari është i detyruar të përshtasë e të përmiresojë portin e ri për funksione tregtare.

Në një kornizë më të plotë arsyetimi e informacioni për publikun: porti do të ndryshojë funksionin e vet nën dritën e përvojës më të mirë të vjelë, mbi mënyrën se si janë ndërtuar portet e vendeve të tjera, sidomos të atyre perëndimore. Praktika e përpunimit të mallrave të ndryshme, sidomos e hidrokarbureve, e kërkon si domosdoshmëri trajtimin e tyre larg nga qendrat e qyteteve. Është ndjekur praktika e zhvendosjes në periferi të zonave të banuara.

Meqë u përmend, vite më parë, shumë nga qytetarët vlonjatë kujtojnë ndotjen e ajrit, erën e rëndë të çliruar nga përpunimi i anijeve të bitumit në portin e Vlorës, retë e pluhurit gjatë shkarkimit të anijeve me çimento, pa përmendur këtu vështirësitë e bashkërendimit gjatë përpunimit të anijeve, proces që kryhej natën, me pasojë vonesat e zvarritjet e pashmangshme.

Një standard i përshtatshëm mbrojtjeje duhet të përfshijë medoemos masa për të mënjanuar çdo rrezik të mundshëm ndotjeje prej karburantit të anijeve edhe gjatë ciklit të qëndrimit të tyre në port.
Porti si realitet fizik e ka të pamundur të përmbushë, aty ku është, standardet e nevojshme ndërkombëtare për funksionin e tij themelor si mjedis për përpunimin e mallrave – jo rrallë janë hasur ankesa nga të huajt pranë institucioneve përkatëse për fleksibilitetin e pamjaftueshëm të portit. Mundësitë për ndërhyrje që përmbushin standardet e kërkuara, në hapësirën e sotme nuk janë.

Me pak mundim, opozitarët mund të kishin mësuar se zhvendosja e portit është e nevojshme, sepse konfigurimi i tij i sotëm nuk ofron siguri për shërbimet portuale në kushtet e përkeqësuara të motit, pasi ky është port pa mbrojtje nga dallgët, kalata lindore dhe perëndimore janë konstrukte të amortizuara nga koha – të rrezikshme, në një ardhme të afërt për anijet gjatë përpunimit të tyre.

Fare lehtë, opozitarët mund të mësonin se marrëdhënia mes funksionit klasik të portit, atij tregtar, dhe funksionit, relativisht të ri, turistik, është dukshëm në të mirë të funksionit të dytë. Prirja për vëllim shkëmbimesh import-eksport në gjendjen e sotme është drejt rënies, pasi porti i Durrësit është më i përshtatshëm për standardet dhe sigurinë e përpunimit të mallrave, përkundër shtimit të ndjeshëm të operatorëve turistikë, të huaj e vendas.

Shtojmë se, prania e njëkohshme në port e operatorëve turistikë me ata tregtarë e pezullon dhe e pengon përkatësisht secilin. Vitet e fundit shumë subjekte që operojnë në sektorin detar, kanë pasur oferta të ndryshme bashkëpunimi (çarterimi) nga kompani të huaja udhëtimesh detare si MSC Cruises, COSTA Cruises etj., për ta përfshirë Vlorën (portin) si pikëmbërritje turistike gjatë intinerareve të tyre mesdhetare. Në të vërtetë, sapo janë njohur me të dhënat teknike dhe financiare të portit e kanë refuzuar përfshirjen e Vlorës në program, pasi nuk ofroheshin standardet e nevojshme portuale.

Duam s’duam kjo është logjika e zhvillimit. Na duhet të mos i kundërvihemi, përkundrazi të përfitojmë, duke u përshtatur me zhdërvjelltësi.
Ka më shumë, nëse opozita do e duhet të dijë më shumë, vetëm se duhet vullnet dhe shumë durim për të bërë njëlloj pune, d.m.th., për të bërë opozitë.
Lidhur me argumentin e dytë, përshirjen e pajtimin publik për projektin, opozita duhet të pranojë se këtu shkarja logjike është e qartë.
Çfarë kanë parasysh me këtë të arratisurit e derisotëm nga çdo forum publik, institucional, shoqëror? Të ulesh e të shkruash ëndrrën si përrallë nuk është punë. Është njëlloj terapie që të shpëton nga realiteti, mjerisht, përkohësisht, kur nuk ke guxim ta pranosh atë që është e vërtetë.

Opozita ka ngrirë e ndryrë në kullën e përfytyrimeve të veta, larg nevojave e kërkesave të shoqërisë, larg Vlorës. I ftoj të lexojnë e të mësojnë më shumë për qytetin tonë. Fjala vjen të lexojnë e të dinë se Vlora ka ndryshuar disa herë në kohë; nga njerëz me kurajo, shije e idealizëm, italianë e shqiptarë bashkë, që nga Luigi Beretti, Ali Asllani, Qazim Kokoshi, Nuredin bej Vlora, më tej pas Luftës nga specialistë e njerëz që e donin Vlorën, si Kristo Papajani, qyteti fitoi joshjen e tij të pakrahasueshme.

Dhe Vlora po ndryshon edhe sot, jo për të humbur identitet e vlera, përkundrazi.
Me të njëjtin idealizëm, shije, vullnet dhe përkushtim ajo po shkon drejt riorganizmit dinamik urban, drejt ndërtimit të poleve të reja ekonomike e shoqërore, ku përrallat e opozitës nuk ka kush t’i dëgjojë.