Teksa po ezaurohet afati për regjistrimin e koalicioneve, Basha mbylli dje marrëveshjen edhe me Artur Roshin e Ballit Kombëtar Demokrat. Roshi ka qenë aleat tradicional i PD-së, por fakti që ky i fundit pranoi mandatin e deputetit pasi opozita vendosi unanimisht djegien e tyre në 2019 vendosi pikëpyetjen, nëse Balli Kombëtar Demokrat do t’i bashkohej së djathtës. Ndonëse pranoi mandatin e deputetit, Balli Kombëtar Demokrat nuk mori pjesë në zgjedhjet lokale të 2019-ës. Po ashtu, mbrëmë kreu i Opozitës Lulzim Basha ka pritur edhe kreun e PLL-së Shpëtim Axhami për t’iu bashkuar koalicionit të djathtë.

Sakaq, ndonëse z. Idrizi ka deklaruar se ka mbyllur marrëveshjen e koalicionit me kreun e PD-së, dje ai ka diskutuar me kreun e opozitës për qarqet dhe vendin në listë që do të ketë ai, znj. Doda dhe përfaqësuesit e tjerë të PDIU-së. Ndërkohë, nuk ka ende dritë jeshile për një marrëveshje mes PD-së dhe Partisë Republikane. Dje, kreu i PR-së ishte në selinë blu por që nuk është takuar me kreun e selisë blu, por me grupin negociator të përcaktuar nga Basha.