Nga Ardit Rada/ Duke qenë se disa deklarata kanë kosto për PD dhe LSI në prag të zgjedhjeve, duket se që ta thotë fjalën e fundit të parën kanë lënë Ilir Metën. “Kriteret e ndarjes klasore dhe preferenciale për njerëzit që vaksinohen janë tipike për diktaturat dhe diktatorët” – është shprehur sot kreu i shtetit që vetë s’ka lënë variant pa përmendur se si mund ta rrëzojë qeverinë, nga ushtria dhe Salvator Allende, tek referendumi, atentati si Avniu dhe kërcimi mbi tank si Vojo. Dhe sot, kreu i shtetit ka hedhur gurin i pari mbi intelektualët e moshuar që pritet të marrin dozat e para këtë të diel.

Por për çfarë lufte klasash flet Ilir Meta, që mban në sirtar një listë të gjatë fisesh të përzgjedhura mbi kriterin e numrit të anëtarëve, dhe në pritje për t’i dekoruar. Pa llogaritur qindra të tjerë që u ka varur nga një medalion në qafë e duke ‘i parë nga duart’ për ndonjë votë. Madje dhe kur janë harruar, u ka gjetur pasardhësin e shtatë për t’u ‘miqësuar’ në shkëmbim të një teneqeje. Sigurisht, në pamundësi për të shpërndarë vende pune si dikur me qitap, në qeveri apo nëpër bashki, kjo kish mbetur për t’u provuar…

Por pse gjithë ky shqetësim i kryetarit de facto të LSI-së për ndarje klasore, kur vjehrri i tij ditën e parë të demokracisë mori 16 dynym tokë kooperative në një zonë të lakmuar të Tiranës, edhe pse kishte qenë brigadier. Ndërsa pronarët e shpronsuar që në 1945 u kanë ngelur veç letrat e kohës së osmanëve. Pse ky tërbim për Alfred Moisiun që do të vaksinohet i pari të dielën? Apo pse qe i vetmi ish-president që s’e begenisi në zyrë kur Saliu, Bujari, Bamiri e Rexhepi iu rreshtuan për t’i dhënë formulën e zgjidhjes së ‘krizës’ që shpiku vetë Presidenca?

Me gjasë ky dëshpërim e tërbim i ka rrënjët te xhelozia pse dekoratat e tij s’vlejnë më shumë se vaksinat dhe Ilir Meta çdo gjë e përkthen në votë. Ose nga inati pse pikën e tij të dobët, Doktorin, s’e kanë në hesap as si të moshuar, e as si intelektual…/ java