Ministrja e arsimit Evis Kushi gjatë një interpelance me të rinj maturantë ka theksuar se provimet do të hartohen duke pasur parasysh edhe vështirësitë që kanë hasur gjatë zhvillimit të mësimit online, por edhe mësimit të kufizuar në klasë. Deri në 19 shkurt të gjithë maturantët do ta ndjekin mësimin nga shtëpia, ndërkohë që të rinjtë e shkollave të mesme në bashkitë Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamzë do ta ndjekin mësimin online të paktën deri në 26 shkurt, kjo sipas vendimit më të fundit që mori Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Shqetësimin më të madhe e kanë maturantët, të cilët shprehen se nuk janë të përgatitur për provimet. Drejtoresha e përgjithshme e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi bëri të ditur në “Wake Up” se testi i maturës do të jetë i përzier, pra do ketë pyetje me alternativa dhe me zhvillim. “Do të jemi ekstremisht të kujdesshëm në çdo element të testit. Një pjesë e madhe të pyetjeve do të jenë në nivelin e parë dhe të dytë. Pra 80% e gjithë testit është në nivelin e parë dhe të dytë, lehtësisht mund ta marrin notën 8.
Është testi i përzier. Do kthehemi në variantet që janë kthyer në lloj tradite, me alternativa dhe me shtjellim. Në total janë 60 pikë dhe një maturant që të kalojë duhet të marrë 25 pikë. Nota 10 fillon te 53-pikëshi”, sqaroi Vrapi.